domenica 26 febbraio 2012

Shqipëria, Mbretëria më e re e Evropës (2)

Nga Melville Chater

Për revistën National Geographic, Shkurt 1931.

Pjesa e dytë

Link pjesa e parë

Bijtë e shqiponjës

Ndërsa lidhnim dua të them, ndërsa shuanim motorin e makinës një shqiponjë gjigante u duk në qiellin e kaltër që ishte edhe mbretëria e saj. Ky zog mbretëror na bëri që ta ndiejmë me të vërtetë se gjendeshim në Skipërinë (Shqipërinë) antike, në Vendin e Bijve të Shqiponjës. Në qoftë se ndonjë udhëtar i antikitetit grek ose romak do të thërriste: “Ah, kjo qenka, pra Albania?!”, shqiptarët nuk do ta kuptonin se për çfarë vendi e kishte fjalën. Përpara nëntë shekujsh ndonjë i huaj, i cili e konsideronte si të pakuptimtë emërtimin “Shqipëri”, do ta shtrinte “Alp” ose “Alb” në Albania për të përshkruar me anë të këtij emri vendin me malet e larta e të mbuluara me dëborë.

Prejardhja e emrit Shqiptar humbet në legjendat e fiseve malore ballkanike. Pasi fjala “shkep” nënkupton shkëmb, dhe emërtimi shqiptarë ndoshta mundet të nënkuptojë “banorë të shkëmbinjve”. Por Plutarku jep një shpjegim tjetër më interesant. Biografi antik grek na rrëfen se, kur mbreti i Epirit, Pirroja u krahasua nga ushtarët e tij me një shqiponjë, në mënyrë të sjellshme u përgjigj se armët e tyre i jepnin krahë. Ashtu si epiriotët që pranuan modestinë e mbretit Pirro, edhe albanët morën emrin shqiptarë, bijtë e shqiponjës. Shqiptarët e sotëm do t’ju thonë se janë fisi më i vjetër në Evropën juglindore. Me të vërtetë, gjuha e tyre dhe zakonet e tyre dëshmojnë për një origjinë të lashtë. Janë ndoshta pasardhës të Ilirëve, të cilët e kishin prejardhjen prej Pellazgëve. Derisa arkeologjia të hedhë më shumë dritë në gjuhën shqipe, mendimet e filologëve do të jenë të ndryshme. Nga këta një pjesë e madhe beson se një e treta e gjuhës shqipe ka prejardhje pellazge. Të tjerë besojnë se gjuha shqipe e ka prejardhjen nga ilirishtja dhe se nuk ka asnjë lidhje me gjuhën greke. Një pjesë tjetër e gjuhëtarëve beson se shqipja është gjuha më e vjetër në Evropë, nëna e greqishtes dhe e latinishtes. Platoni dhe Herodoti, përmendin në veprat e tyre se grekët e lashtë i morën perënditë e tyre prej pellazgëve. Sipas disa shkencëtarëve kjo teori mbështetet prej faktit se

shumë emra të perëndive antike, si p.sh. Zeus, Nemesis dhe Rea mundet të shpjegohen ose të kenë prejardhjen prej fjalëve “ZË”, “NËMË” dhe “RE” e gjuhës së shqiptarëve. Shqiptarët mundet që ta kenë me të vërtetë prejardhjen prej ilirëve. Si një pemë e madhe, ajo mbretëri e lashtë e shtriu hapësirën e saj në Epir, në Maqedoninë veriperëndimore dhe në një pjesë të madhe të Jugosllavisë së sotme. Gradualisht nga shkëlqimi kaloi në rënie, në venitje, pas ekspeditave të Filipit të Maqedonisë dhe djalit të tij të famshëm Aleksandrit të Madh. Më vonë dhe pasi romakët shkatërruan Kartagjenën e shtrinë interesin e tyre tutje Adriatikut, Iliria u nda në tre perandori. Pas shpërbërjes së perandorisë, Iliria kaloi në duart e Gotëve dhe më pas në ato të Bullgarëve. U ndrydh edhe më tepër fiset ilire, epirote dhe maqedone u grumbulluan në truallin që sot quhet Shqipëri. E vetmja që mbeti prej lisit ilir ishte bërthama shqiptare. Pasi kaluam Përmetin, Kërcyrën, Tepelenën dhe kështjellën e shkatërruar që ka mbetur nga kujtimi i të ashprit Ali Pashës, në perëndim arritëm në Gjirokastër...

Një burrë me veshje tradicionale të Gjirokastrës. ( foto, Luigi Pellerano)

Një burrë me veshje tradicionale të Gjirokastrës. ( foto, Luigi Pellerano)

Udhëtarët flenë ku e si të munden

Në hanet shqiptare kushtet janë pothuajse primitive. Udhëtarët zakonisht mundohen që t’u shmangen dhe flenë kudo që të munden, në qoftë se munden. Në Gjirokastër gjetëm një teqe të ngritur mbi një qafë dhe të mbushur me qiparisa, ku provuam e shijuam mikpritjen tradicionale të dervishëve bektashinj. Për shkak të shekujve të shumtë të sundimit turk, Shqipëria jugore dhe ajo qendrore janë kryesisht myslimane. Priftërinjtë kristianë, ortodoksë e katolikë nuk predikonin në gjuhën shqipe, gjë që bënte që populli të mos kuptonte edhe fort mirë dogmën kristiane dhe të quhej kristian, thjesht sa për të thënë.

Një çift me veshje tradicionale. (foto, Luigi Pellerano)

Një çift me veshje tradicionale. (foto, Luigi Pellerano)

Në të kundërt, shqiptarët e përqafuan lehtësisht fenë muhamedane, e cila u siguronte edhe një mbrojtje e siguri politike. Përfundimi ishte që dy të tretat e 833.000 banorëve të Shqipërisë të ishin myslimanë, ndërsa të tjerët të ishin të besimit ortodoks e katolik. Pritja e dervishëve bektashinj dhe e kryetarit të tyre ishte e paharruar. Në një dhomë të ftohtë e të mënjanuar dhe pa asnjë mobilie baba Sulejmani me mjekrën e gjatë, me sytë që i shkëlqenin, me fustanellën e bardhë dhe jelekun e jeshiltë qëndronte i ulur këmbëkryq mbi qilima të trashë e të rëndë, duke mbajtur në njërën dorë tespihet dhe në tjetrën Kuraninishte mishërimi i mirësjelljes. U përshëndetëm, përgëzuam njëri-tjetrin, pimë kafe të fortë turke. Një shërbëtor gungaç me një hundë tepër të madhe, sikur të kishte dalë nga përrallat e “Një mijë e një netëve” afrohej duke bërë temenara e duke u përkulur sa herë që Baba Sulejmani thoshte: “Vëllai im!”. Biseduam për shumë orë për tolerancën fetare dhe për të vërtetat që janë të përbashkëta në të gjitha dogmat fetare. Ai na solli si shembull një shprehje të lashtë: “Ajo që i ndan fetë e botës është vetëm fakti që njeriu beson se njeh. Dhe ajo që e bën njerëzimin një është ajo që ende nuk është gjetur, ajo që ende të gjithë kërkojmë!” Pasoi darka në një disk të madh prej bakri, rreth të cilit u ulëm të gjithë këmbëkryq sipër një qilimi. Shërbëtori i “Një mijë e një netëve” na çoi më pas nën dritën e një qiriri në dy dhoma që kishin përgatitur enkas për ne. Qoftë myslimanë, qoftë kristianë të ishin mysafirët dhe bujtësit e paparashikuar të natës, dhoma ishte e rehatshme. Katër ëngjujt që ishin mbi kokën e krevatit na dhuruan një gjumë të ëmbël e të rehatshëm në qetësinë e mrekullueshme të teqesë.

Mëngjesin e ardhshëm zbuluam se nuk u detyroheshim gjë prej gjëje dervishëve, asnjë kacidhe për mikpritjen e tyre, darkën dhe fjetjen. Mikpritja dhe toleranca janë dy nga kodet themelore të dogmës së bektashinjve. “Është e keqe të jetë ndokush i plotë, kur të tjerët janë bosh”,-thotë njëra nga vlerat e tyre. Dhe një tjetër thotë: “Është e keqe që të krenohet ndokush për urtësinë e tij, kur mohon urtësinë e të tjerëve!Baba Sulejmani na dha uratën e tij. Pastaj e lamë që të mendohej mbi çështjet e fesë me vështrimin e drejtuar mbi malet. Një varg i Biblës na erdhi ndër mend. Psalmi hebre dhe dervishi mysliman dallojnë shumë ndërmjet tyre nga ajo ç’ka kërkojnë? Atë ditë kaluam plantacione të mëdha me ullinj, duke shkuar drejt detit. Pak përpara se të arrinim në Sarandë takuam

një kasolle të mbushur me gjethe, të ngritur mbi trungje të vegjël me lartësinë 4,5 metra. Hipëm në shkallën e saj, duke befasuar banorin e vetëm të saj. Puna e tij, siç na shpjegoi ai me një anglishte të dialektit të Maçausetit, të mësuar kur punonte aje në një fabrikë këpucësh, ishte që të vëzhgonte plantacionet e ullinjve nga kjo “fole ajrore”!

Burra me veshje tradicionale. ( foto, Luigi Pellerano)

Burra me veshje tradicionale. ( foto, Luigi Pellerano)

Gjashtë vjet burg për vrasje

Pastaj filloi të na tregonte sekretet e jetës së tij duke na thënë se kjo punë ishte një vendstrehim i sigurt për dikë që sapo kishte dalë nga burgu. “E shikoni,- na tha- Bëra gjashtë vjet burg vetëm se u solla keq ndaj një burri!” “Gjashtë vjet se veprove pa u menduar!?- e pyetëm ne. “Po,- na u përgjigj- Sepse veprova pa u menduar dhe nxora thikën. Dhe tani që jam jashtë vëllai i vejushës së atij burrit që vrava do që të hakmerret ndaj meje!” Përgjatë brigjeve të detit Adriatik, midis porteve të Sarandës e Vlorës, ndoqëm një rrugë të vështirë nga pikëpamja gjeografike për në veri. Rruga ngrihej mbi shkëmbinj të thepisur për më se 150 km, ullishta e pisha të pafund, një pamje e mrekullueshme e parë nga aeroplani. Një moment më pas u gjendëm në një liman të vogël krejt të virgjër e të mrekullueshëm, ku dora e njeriut nuk kishte mbërritur ende. Më pas ndalëm për të drekuar në buzë të rrugës, buzë ullinjve e një fshati të vogël me çati të kuqe që flinte nën diellin e paqtë të mesditës së qershorit. Më në fund ja dhe perëndimi i diellit që aq shumë e kishim pritur: njerëzia që mblidhej pranë burimeve për tu freskuar, çasti i mbushjes së shtambave me ujin e ftohtë,

ecja çapkëne e grave me to mbi sup, që ktheheshin në fshat me hapa të ngadaltë e duke i folur njëra-tjetrës. U ngjitëm në shpatet e pjerrëta të vargmalit që derdhej mbi det të Himarës e arritëm në anën e tij, mali Çika me emrin e vjetër pritësi i rrufeve. Makina jonë lëvizte në zbritje në kthesat e pafundme të rrezikshme të rrugës së ndërtuar në kohën e luftës. Që nga maja pa kuptuar mbështilleshim nga aroma e pishave e më pas vazhduam nëpër rrugën bregdetare që na udhëhiqte për në Vlorë.

Link pjesa e tretë

Link versioni italisht: Albania, il regno più giovane d’Europa (2)

domenica 19 febbraio 2012

Shqipëria, Mbretëria më e re e Evropës (1)

Nga Melville Chater

Për revistën National Geographic, Shkurt 1931.

Pjesa e parë

“Përse do të shkoni me kuaj?”, na pyeti konsulli shqiptar ndërsa na kthente pasaportat e vulosura. “Po, pse, çfarë duhet të bëjmë”!,- iu përgjigjëm, -“Në Shqipëri nuk ka linjë hekurudhore...” “Ja mendojeni dhe një herë. Shtrirja e vendit është rreth 30.000 kilometra katror... Sipërfaqe shumë e madhe që ta përshkojë ndokush me kalë. Dhe pse nuk merrni një makinë?” Në këtë pikë ngelëm. Në Shqipëri me makinë? Çfarë plage për traditën! “Me perëndimin e diellit, e lidha kalin për të shijuar pamjen e mrekullueshme të maleve”: Kjo është njëra nga frazat e lordit Bajron, që përsëritej prej udhëtarëve që kishin vizituar vendin e Skënderbeut dhe të Ali Pashait. “Me kalë në Shqipërinë malore”- kjo është njëra nga zgjedhjet e zakonshme të udhëtarëve që vizitojnë këtë vend. Për këtë arsye edhe ne e kishim përfytyruar Shqipërinë si një vend tejet malor, me male që nuk e lejonin kapërcimin e tyre me mjete të motorizuara, të banuara nga njerëz të egër dhe që dinin ta përdornin mirë pushkën. Dhe megjithatë, ja ku na doli një konsull që na tregonte në hartë mbi një mijë kilometra rrugë nacionale të shtruar dhe që na kujtonte neve amerikanëve romantikë se “koha është para” dhe se “Benzina ishte e vetmja gjë që do të na nevojitej në Shqipëri!” “Do ta kemi parasysh”, i thamë. Dhe me të vërtetë që e menduam.

Melville Chater duke mbajtur shënime rreth udhëtimit nëpër Shqipërinë, Mbretërinë më të re të Evropës.

Melville Chater duke mbajtur shënime rreth udhëtimit nëpër Shqipërinë, Mbretërinë më të re të Evropës.

Hapi nga mesjeta në kohërat moderne

Një javë më vonë e pamë veten të ecnim me një tren vargmalet e Maqedonisë, deri në qytetin përrallor të Follorinës. Që aty një makinë na ngjiti në një mal të lartë dhe më pas na zbriti në një fushë të madhe. “Kur do të hyjmë në Shqipëri?- e pyetëm shoferin, duke kërkuar më kot me sy në horizont malet e pakapërcyeshëm. “Në Shqipëri jemi”,- na u përgjigj ai, duke na treguar me dorë lëndinën e pafundme. Ajo ç’ka shihnin sytë tanë ishte një livadh i pafund me misër në ngjyrë floriri, i cili përkulej lehtë prej flladit që frynte, duke krijuar pamjen e një deti përrallor tokësor. Në thellësi gjendej qyteti i Korçës, me kopshtet e gjelbëruar dhe minaret e shkëlqyeshme. Këtë pamje bujqësore, kaq të ndryshme nga ajo ç’ka ne kishim përfytyruar, e përshkonte një rrugë automobilistike e mbushur me kthesa, ku kamiona të mëdhenj ecnin me ngadalë njëri pas tjetrit duke transportuar postën dhe mallra të ndryshme nga njëri cep i Shqipërisë në tjetrin. Një luftë katastrofike lë pas të paktën rrugë. Me përfundimin e luftës të vitit 1918, Shqipëria, e cila ishte fushë beteje dhe korridor ushtarak në të njëjtën kohë, zbuloi se kishte përfituar boshtin e një rrjeti të mirë rrugor dhe përvojë në mjetet automobilistike të transportit. Kështu, në vend që të kalonte me ngadalë dhe gradualisht nga avulli në benzinë, siç kishte ndodhur në vendet tjera të Evropës, kishte bërë një hap gjigant nga Mesjeta në kohën moderne, nga kuajt në makinat, brenda një dekade. Sot (në vitin 1931, A.Llalla) qeveria shqiptare shpenzon 200.000 dollarë në vit për shtrirjen e rrugëve automobilistike, që ishin ndërtuar në kohën e luftës. Banorët e Shqipërisë fushore kanë përfituar një rrjet rrugor, në sajë të një ligji që i bën ata përgjegjës për mirëmbajtjen e një pjese të rrugës prej gjashtë metrash, qoftë me shpenzimet e tyre, qoftë duke punuar ata vetë.

Korça tregon se Shqipëria po ndryshon

Sa shqiptarët, po aq edhe të huajt që udhëtojnë në këtë vend, gjenden përballë ndryshimeve të mëdha sociale. Në vend të frazës “Lidha kalin”, sot dëgjohet fraza “fika makinën”. Korça, e cila sëbashku me Shkodrën, Tiranën dhe Gjirokastrën, përfshihet në qytetet e mëdha të Shqipërisë, të

cilat kanë një popullsi nga 12.000 banorë në 32.000 banorë, paraqet njërën nga pamjet më interesante të Shqipërisë. Godina moderne ngrihen mbi shtëpitë e vjetra të rrugicave tradicionale, ndërsa gardhe të tejdukshme me kangjella hekuri ruajnë kopshtet e mrekullueshme me lule. Qerre të ngarkuara me male prej kashte bllokojnë rrugën kryesore, duke nervozuar së tepërmi shoferët. Lagjja myslimane karakterizohet nga thjeshtësia që përçojnë gratë me ferexhetë e zeza. Lagjja kristiane ka adaptuar një mënyrë evropiane jetese. Fustane gjer tek gjuri, çorape në ngjyrën e këmbës dhe flokë të shkurtra. Gjimnastika në shkolla, është një lloj i ri mësimi që vlen në të gjithë vendin, gjë që tregon për përparimin ndërkohë që pjesën konservatore të Shqipërisë e përfaqësojnë nënat, për të cilat çdo sport që kërkon pantallonat të shkurtra dhe pasohet nga një dush i ftohtë është mënyra më e sigurt që ndonjëri të vdesë i ri. Pastaj është edhe historia e tharjes së kënetës së Maliqit. Një qeveri e re dhe ambicioze, e cila donte të thante mijëra hektarë toke dhe ta bënte pjellore, e shiti të drejtën e shfrytëzimit të liqenit një firme. Inxhinierët e huaj ndërtuan kanale dhe depozita, ku “burgosën” ujin e kënetës. Këneta ishte krijuar përpara disa brezash, prej valëve të rrëmbyeshme të përrenjve që zbritën nga malet dhe përmbytën zonat përreth. Ishin me dhjetëra fshatra toskësh. Një ditë, sipas traditës lokale toske, ujërat e kënetës do të thahen dhe vendasve do t’u rikthehen përsëri arat e përmbytura të gjyshërve të tyre. Nëpërmjet një mënyre të mrekullueshme, ashtu siç mendonin banorët vendas, ujërat u tërhoqën, duke u zbuluar atyre çatitë dhe oxhaqet e stërgjyshërve të tyre, të cilat ishin për kaq kohë

të humbura. Me britma gëzimi e mirënjohjeje ata u vërsulën në tokën e re të fituar dhe filluan ta kultivonin. Është e tepërt që të përshkruajë ndokush trazimin e tyre kur mësuan se mrekullia ishte bërë prej teknologjisë dhe jo nga vullneti i Zotit dhe se toka e kënetës tashmë i përkiste një firme të huaj... Në qoftë se ndonjëherë vizitoni zonën e kënetës së Maliqit, mos u flisnin vendasve për tharjen e kënetës, sepse do t’ju përzënë.

Ditën e pazarit Korça ndryshon pamje. Mblidhen me mijëra fshatarë, secili i veshur me veshjen shumëngjyrëshe të fshatit të tij. Zbresin nga malet ose me kuaj, ose me këmbë për gjatë gjithë ditës për të shitur në pazarin e madh pak grurë, një dele, një kalë. Pazari i kuajve në Korçë, më i madhi i Shqipërisë, është i mbushur me kafshë që godasin të shqetësuara këmbët e tyre dhe me burra që u bien duarve pa pushim. Këtu zbatohen të gjitha mjetet e të gjitha llojet e provave që janë të zakonshme në pazaret e kafshëve të mbarë botës. Shumë prej tyre përpiqen që të vërtetojnë nëse shprehja “Nuk ikën akoma edhe sikur të mos ta lidhësh” është mentaliteti i kuajve apo i është bërë zakon që të rrijë si i ngrirë e të jetë dembel.

Pazari i kuajve të Korçës është më i madhi në Shqipëri. (foto, Melville Chater)

Pazari i kuajve të Korçës është më i madhi në Shqipëri. (foto, Melville Chater)

Një “Nick Carter” shqiptar

Në shtetet e qytetëruara një hajdut makinash dënohet me burg. Në Shqipëri, ku kushtet sociale të kujtojnë shpesh Perëndimin e kaubojve, vjedhja e një kali nënkupton vrasjen me anë të një procedure të shpejtë. Për këtë arsye shitblerjet e kuajve në pazar bëhen nën vështrimin vigjilent të një nëpunësi shtetëror, i cili i jep blerësit një vërtetim nëpërmjet të cilit vërteton se blerja ishte e ligjshme. Më vonë një makinë e vogël, me një shofer të cilin na e kishin rekomanduar, ndaloi jashtë derës sonë. Pasi përshkojmë fushën e gjerë të Korçës, duke lënë pas nesh minaret e shumta, u gjendëm në një rrëpirë të ngushtë, ndërmjet shkëmbinjve të thepisur. “Ky vend është i mbushur me vjedhës”,- deklaroi, shoferi ynë shqiptaro-amerikan. “E dini se çdo të thotë hajdut?” E dimë, iu përgjigjëm ne. Një orë më vonë hymë në një tunel të dytë e të frikshëm. “Ky vend është i mbushur me banda kusarësh,- tha përsëri shoferi ynë.- E dini se çdo të thotë banda? Përsëri i vërtetuam se e dinim se çdo të thoshte ajo fjalë... Djaloshi i ri vazhdoi të na tregonte për vendet ku dikur ushtria u kishte ngritur kurthe banditëve. Kur mbërritëm në Ersekë, ku ndalëm për të parë vllahët nomadë, që merinin sërish rrugën e malit, pas mbarimit të pazarit, e pyeta për emrin. Pa dashur të shtiret u kthye e më tha: “Nik Karter” Si ishte e mundur? Pas kishim udhëtuar me një mbrojtës të veçantë, Nikun, heroin e historive të fëmijërisë sonë. E ai paska qenë me origjinë shqiptare? Ndërsa i kërkonim shpjegime, na tregoi se ndonja dhjetë vjet më parë, i gjendur në një shkollë fillore të New Jorkut, mësuesja tek dëgjonte emrin e tij, Nexhdet Qurraxhia, u tha prindërve të tij se duhej të bënin diçka për të bërë të mundur të shqiptonin emrin e djalit e për ta shkruar atë. Kështu babai adoptoi për familjen mbiemrin Karter, ndërsa shokët e klasës i shtuan atij emrin Nik. Në dokumentet e tij të para figuronte ky emër, që më pas punonjësi që merrej me dokumentet nuk dukej të kishte pikën e fantazisë, bile me ironi nuk vonoi të shtonte:- Nga Lugina e Vdekjes! Duke iu afruar Leskovikut mure të larta dëbore nisën të ngriheshin deri në re duke na e ndërprerë kontaktin me pjesën tjetër të botës, kërcënuese si të donin të na drejtonin në ndonjë udhë të pa krye alpine. Në dhjetë ditët e ardhshme, gjatë të cilave përshkuam me makinë, zonat malore e luginat e pafundme, e hasëm më shpesh këtë lloj kërcënimi të natyrës.

Një vargmal jashtë çdo fantazie

Shtrirja e vargmaleve të Shqipërisë vështirë se mund të përshkruhet saktësisht. Nëse dikush mund të thotë se Alpet shtrihen në veri, duke llogaritur vargmalet që e shndërrojnë në një shkallë të theksuar kufirin shqiptar e se ky vend ka shumë vargmale në gjithë shtrirjen e saj, e vetmja gjë që pranohet është se ka përshkruar vetëm përciptas karakteristikat gjeografike të kësaj mbretërie të vogël të maleve. Kështu Shqipëria është një vend që mund të krahasohet me një nga motivet karakteristike popullore të këtij vendi, një sërë formash, trajtat e të cilave të kujtojnë diamantet, të qëndisura nga cepi në cep në tërë gjatësinë e veshjes. Në kundërshti me terrenin gjeografik të Shqipërisë, këto diamante përfaqësojnë përmasat e shtrirjes, ndërsa ngritjet e tyre në maja janë “shtigjet” nëpërmjet të cilave kalohet nga një luginë në tjetrën. Ditën e dytë ndoqëm rrjedhën e lumit Vjosa, e cila rrjedh rrëmbyeshëm nga Greqia në Shqipëri, midis ujëvarash e kataraktesh të mbidheshme e të nëndheshme. Dy roje kufiri në cepat e urës, njëri nga ana e bardhë-blu e tjetri nga ana e flamurit të kuq me shkabën e zezë të shqiptarëve, që nga koha e Skënderbeut, bënë çdo lloj përpjekjeje për t’u dukur gjakftohtë e armiqësorë. Një paketë cigaresh e ndryshoi gjendjen, ata menjëherë nisën të diskutonin se cila anë ishte më e mirë për të nxjerrë fotografi, ajo e shqiptarëve apo ajo e grekëve. Pas rreth një ore rrëkeja e vogël u zgjerua e u ndodhëm në një luginë të vërtetë alpine, të gjelbër me një lumë të thellë që e përshkonte duke zbritur nga maja malesh të largëta me dëborë.

Link pjesa e dytë

Link versioni italisht: Albania, il regno più giovane d’Europa (1)

domenica 5 febbraio 2012

Lituanishtja, Letonishtja dhe Pellazgo-Shqipja

Gjuhët ballkanike përfshijnë prusishten e vjetër, lituanishten dhe letonishten. Prusishtja e vjetër flitej në Prusinë lindore deri në shekullin e XVII. Kjo gjuhë njihet nga një dorëshkrim zanafilltar që daton qysh nga shekulli XIV. Ky tekst, i cili përmban 802 fjalë, quhej “fjalori i Elbingut”.

Arif Mati-1

Mathieu Aref

Por dy gjuhët balltike, ato më të njohurat, dhe që egzistojnë ende, janë lituanishtja dhe letonishtja. Ato janë të dëshmuara qysh nga shekulli i XVI: lituanishtja nëpërmjet përkthimit të një katekizmi të Luterit në vitin 1546 dhe letonishtja nëpërmjet përkthimit të një katekizmi katolik në vitin 1585. Këto gjuhë deri në shekullin e XIX mbetën idioma fshatareske përpara se të bëhen gjuhë letrare dhe kombëtare.

Lituanisht-Letonisht

Pellazgo-Shqip



Anasana

Anë, anësi

Baltas

Bardhë

Degas

Djeg (dieg)

Dels

Djalë (dial)

Du

Dy

Lenta

Lëndë

Mazu maz

Mëz

Metu

Mot, moti

Prushoas

Prush

Tauta* (popull)

Tatë

Uogli

I vogël, i vogli

Vaïuis

Veshi

Zaryjos

Zjarr, (ziar), zjaros

*Teuta, Mbretëreshë e Ilirisë në shekullin e III para Krishtit. Ky është një emër tipik dhe për arsye të forta pellazge (Teutamos ishte mbreti i Pellazgëve: Iliada, XVI / 843). Ajo çka është më befasuese, ky emër gjendet me grafi pak a shumë të ndryshme në të gjithë popujt me zanafillë pellazge, ose shumë të afërt me ata thrako-ilirë: Etruskë, Ilirë, Oskë, Keltë etj. Ky emër në të gjithë këto etni do të thoshte “popull”. Përveç kësaj shtojmë se ky emër do të ketë rrjedhur nga emri i Titanëve (në shqip = TE TAN d.m.th. TË GJITHË, dhe më gjerë “ata që mbeten së bashku”, të githë ata që i përkasin të njëjtës linjë fisnore.

Marrë nga libri: Shqiptarët odisea e pabesueshme e një populli parahelen i autorit Mathieu Aref

Link versioni italisht: La lingua lituana, la lingua lettone e il pelasgo-albanese