Nga Melville Chater

Për revistën National Geographic, Shkurt 1931.

Pjesa e parë

“Përse do të shkoni me kuaj?”, na pyeti konsulli shqiptar ndërsa na kthente pasaportat e vulosura. “Po, pse, çfarë duhet të bëjmë”!,- iu përgjigjëm, -“Në Shqipëri nuk ka linjë hekurudhore...” “Ja mendojeni dhe një herë. Shtrirja e vendit është rreth 30.000 kilometra katror... Sipërfaqe shumë e madhe që ta përshkojë ndokush me kalë. Dhe pse nuk merrni një makinë?” Në këtë pikë ngelëm. Në Shqipëri me makinë? Çfarë plage për traditën! “Me perëndimin e diellit, e lidha kalin për të shijuar pamjen e mrekullueshme të maleve”: Kjo është njëra nga frazat e lordit Bajron, që përsëritej prej udhëtarëve që kishin vizituar vendin e Skënderbeut dhe të Ali Pashait. “Me kalë në Shqipërinë malore”- kjo është njëra nga zgjedhjet e zakonshme të udhëtarëve që vizitojnë këtë vend. Për këtë arsye edhe ne e kishim përfytyruar Shqipërinë si një vend tejet malor, me male që nuk e lejonin kapërcimin e tyre me mjete të motorizuara, të banuara nga njerëz të egër dhe që dinin ta përdornin mirë pushkën. Dhe megjithatë, ja ku na doli një konsull që na tregonte në hartë mbi një mijë kilometra rrugë nacionale të shtruar dhe që na kujtonte neve amerikanëve romantikë se “koha është para” dhe se “Benzina ishte e vetmja gjë që do të na nevojitej në Shqipëri!” “Do ta kemi parasysh”, i thamë. Dhe me të vërtetë që e menduam.

Melville Chater duke mbajtur shënime rreth udhëtimit nëpër Shqipërinë, Mbretërinë më të re të Evropës.

Melville Chater duke mbajtur shënime rreth udhëtimit nëpër Shqipërinë, Mbretërinë më të re të Evropës.

Hapi nga mesjeta në kohërat moderne

Një javë më vonë e pamë veten të ecnim me një tren vargmalet e Maqedonisë, deri në qytetin përrallor të Follorinës. Që aty një makinë na ngjiti në një mal të lartë dhe më pas na zbriti në një fushë të madhe. “Kur do të hyjmë në Shqipëri?- e pyetëm shoferin, duke kërkuar më kot me sy në horizont malet e pakapërcyeshëm. “Në Shqipëri jemi”,- na u përgjigj ai, duke na treguar me dorë lëndinën e pafundme. Ajo ç’ka shihnin sytë tanë ishte një livadh i pafund me misër në ngjyrë floriri, i cili përkulej lehtë prej flladit që frynte, duke krijuar pamjen e një deti përrallor tokësor. Në thellësi gjendej qyteti i Korçës, me kopshtet e gjelbëruar dhe minaret e shkëlqyeshme. Këtë pamje bujqësore, kaq të ndryshme nga ajo ç’ka ne kishim përfytyruar, e përshkonte një rrugë automobilistike e mbushur me kthesa, ku kamiona të mëdhenj ecnin me ngadalë njëri pas tjetrit duke transportuar postën dhe mallra të ndryshme nga njëri cep i Shqipërisë në tjetrin. Një luftë katastrofike lë pas të paktën rrugë. Me përfundimin e luftës të vitit 1918, Shqipëria, e cila ishte fushë beteje dhe korridor ushtarak në të njëjtën kohë, zbuloi se kishte përfituar boshtin e një rrjeti të mirë rrugor dhe përvojë në mjetet automobilistike të transportit. Kështu, në vend që të kalonte me ngadalë dhe gradualisht nga avulli në benzinë, siç kishte ndodhur në vendet tjera të Evropës, kishte bërë një hap gjigant nga Mesjeta në kohën moderne, nga kuajt në makinat, brenda një dekade. Sot (në vitin 1931, A.Llalla) qeveria shqiptare shpenzon 200.000 dollarë në vit për shtrirjen e rrugëve automobilistike, që ishin ndërtuar në kohën e luftës. Banorët e Shqipërisë fushore kanë përfituar një rrjet rrugor, në sajë të një ligji që i bën ata përgjegjës për mirëmbajtjen e një pjese të rrugës prej gjashtë metrash, qoftë me shpenzimet e tyre, qoftë duke punuar ata vetë.

Korça tregon se Shqipëria po ndryshon

Sa shqiptarët, po aq edhe të huajt që udhëtojnë në këtë vend, gjenden përballë ndryshimeve të mëdha sociale. Në vend të frazës “Lidha kalin”, sot dëgjohet fraza “fika makinën”. Korça, e cila sëbashku me Shkodrën, Tiranën dhe Gjirokastrën, përfshihet në qytetet e mëdha të Shqipërisë, të

cilat kanë një popullsi nga 12.000 banorë në 32.000 banorë, paraqet njërën nga pamjet më interesante të Shqipërisë. Godina moderne ngrihen mbi shtëpitë e vjetra të rrugicave tradicionale, ndërsa gardhe të tejdukshme me kangjella hekuri ruajnë kopshtet e mrekullueshme me lule. Qerre të ngarkuara me male prej kashte bllokojnë rrugën kryesore, duke nervozuar së tepërmi shoferët. Lagjja myslimane karakterizohet nga thjeshtësia që përçojnë gratë me ferexhetë e zeza. Lagjja kristiane ka adaptuar një mënyrë evropiane jetese. Fustane gjer tek gjuri, çorape në ngjyrën e këmbës dhe flokë të shkurtra. Gjimnastika në shkolla, është një lloj i ri mësimi që vlen në të gjithë vendin, gjë që tregon për përparimin ndërkohë që pjesën konservatore të Shqipërisë e përfaqësojnë nënat, për të cilat çdo sport që kërkon pantallonat të shkurtra dhe pasohet nga një dush i ftohtë është mënyra më e sigurt që ndonjëri të vdesë i ri. Pastaj është edhe historia e tharjes së kënetës së Maliqit. Një qeveri e re dhe ambicioze, e cila donte të thante mijëra hektarë toke dhe ta bënte pjellore, e shiti të drejtën e shfrytëzimit të liqenit një firme. Inxhinierët e huaj ndërtuan kanale dhe depozita, ku “burgosën” ujin e kënetës. Këneta ishte krijuar përpara disa brezash, prej valëve të rrëmbyeshme të përrenjve që zbritën nga malet dhe përmbytën zonat përreth. Ishin me dhjetëra fshatra toskësh. Një ditë, sipas traditës lokale toske, ujërat e kënetës do të thahen dhe vendasve do t’u rikthehen përsëri arat e përmbytura të gjyshërve të tyre. Nëpërmjet një mënyre të mrekullueshme, ashtu siç mendonin banorët vendas, ujërat u tërhoqën, duke u zbuluar atyre çatitë dhe oxhaqet e stërgjyshërve të tyre, të cilat ishin për kaq kohë

të humbura. Me britma gëzimi e mirënjohjeje ata u vërsulën në tokën e re të fituar dhe filluan ta kultivonin. Është e tepërt që të përshkruajë ndokush trazimin e tyre kur mësuan se mrekullia ishte bërë prej teknologjisë dhe jo nga vullneti i Zotit dhe se toka e kënetës tashmë i përkiste një firme të huaj... Në qoftë se ndonjëherë vizitoni zonën e kënetës së Maliqit, mos u flisnin vendasve për tharjen e kënetës, sepse do t’ju përzënë.

Ditën e pazarit Korça ndryshon pamje. Mblidhen me mijëra fshatarë, secili i veshur me veshjen shumëngjyrëshe të fshatit të tij. Zbresin nga malet ose me kuaj, ose me këmbë për gjatë gjithë ditës për të shitur në pazarin e madh pak grurë, një dele, një kalë. Pazari i kuajve në Korçë, më i madhi i Shqipërisë, është i mbushur me kafshë që godasin të shqetësuara këmbët e tyre dhe me burra që u bien duarve pa pushim. Këtu zbatohen të gjitha mjetet e të gjitha llojet e provave që janë të zakonshme në pazaret e kafshëve të mbarë botës. Shumë prej tyre përpiqen që të vërtetojnë nëse shprehja “Nuk ikën akoma edhe sikur të mos ta lidhësh” është mentaliteti i kuajve apo i është bërë zakon që të rrijë si i ngrirë e të jetë dembel.

Pazari i kuajve të Korçës është më i madhi në Shqipëri. (foto, Melville Chater)

Pazari i kuajve të Korçës është më i madhi në Shqipëri. (foto, Melville Chater)

Një “Nick Carter” shqiptar

Në shtetet e qytetëruara një hajdut makinash dënohet me burg. Në Shqipëri, ku kushtet sociale të kujtojnë shpesh Perëndimin e kaubojve, vjedhja e një kali nënkupton vrasjen me anë të një procedure të shpejtë. Për këtë arsye shitblerjet e kuajve në pazar bëhen nën vështrimin vigjilent të një nëpunësi shtetëror, i cili i jep blerësit një vërtetim nëpërmjet të cilit vërteton se blerja ishte e ligjshme. Më vonë një makinë e vogël, me një shofer të cilin na e kishin rekomanduar, ndaloi jashtë derës sonë. Pasi përshkojmë fushën e gjerë të Korçës, duke lënë pas nesh minaret e shumta, u gjendëm në një rrëpirë të ngushtë, ndërmjet shkëmbinjve të thepisur. “Ky vend është i mbushur me vjedhës”,- deklaroi, shoferi ynë shqiptaro-amerikan. “E dini se çdo të thotë hajdut?” E dimë, iu përgjigjëm ne. Një orë më vonë hymë në një tunel të dytë e të frikshëm. “Ky vend është i mbushur me banda kusarësh,- tha përsëri shoferi ynë.- E dini se çdo të thotë banda? Përsëri i vërtetuam se e dinim se çdo të thoshte ajo fjalë... Djaloshi i ri vazhdoi të na tregonte për vendet ku dikur ushtria u kishte ngritur kurthe banditëve. Kur mbërritëm në Ersekë, ku ndalëm për të parë vllahët nomadë, që merinin sërish rrugën e malit, pas mbarimit të pazarit, e pyeta për emrin. Pa dashur të shtiret u kthye e më tha: “Nik Karter” Si ishte e mundur? Pas kishim udhëtuar me një mbrojtës të veçantë, Nikun, heroin e historive të fëmijërisë sonë. E ai paska qenë me origjinë shqiptare? Ndërsa i kërkonim shpjegime, na tregoi se ndonja dhjetë vjet më parë, i gjendur në një shkollë fillore të New Jorkut, mësuesja tek dëgjonte emrin e tij, Nexhdet Qurraxhia, u tha prindërve të tij se duhej të bënin diçka për të bërë të mundur të shqiptonin emrin e djalit e për ta shkruar atë. Kështu babai adoptoi për familjen mbiemrin Karter, ndërsa shokët e klasës i shtuan atij emrin Nik. Në dokumentet e tij të para figuronte ky emër, që më pas punonjësi që merrej me dokumentet nuk dukej të kishte pikën e fantazisë, bile me ironi nuk vonoi të shtonte:- Nga Lugina e Vdekjes! Duke iu afruar Leskovikut mure të larta dëbore nisën të ngriheshin deri në re duke na e ndërprerë kontaktin me pjesën tjetër të botës, kërcënuese si të donin të na drejtonin në ndonjë udhë të pa krye alpine. Në dhjetë ditët e ardhshme, gjatë të cilave përshkuam me makinë, zonat malore e luginat e pafundme, e hasëm më shpesh këtë lloj kërcënimi të natyrës.

Një vargmal jashtë çdo fantazie

Shtrirja e vargmaleve të Shqipërisë vështirë se mund të përshkruhet saktësisht. Nëse dikush mund të thotë se Alpet shtrihen në veri, duke llogaritur vargmalet që e shndërrojnë në një shkallë të theksuar kufirin shqiptar e se ky vend ka shumë vargmale në gjithë shtrirjen e saj, e vetmja gjë që pranohet është se ka përshkruar vetëm përciptas karakteristikat gjeografike të kësaj mbretërie të vogël të maleve. Kështu Shqipëria është një vend që mund të krahasohet me një nga motivet karakteristike popullore të këtij vendi, një sërë formash, trajtat e të cilave të kujtojnë diamantet, të qëndisura nga cepi në cep në tërë gjatësinë e veshjes. Në kundërshti me terrenin gjeografik të Shqipërisë, këto diamante përfaqësojnë përmasat e shtrirjes, ndërsa ngritjet e tyre në maja janë “shtigjet” nëpërmjet të cilave kalohet nga një luginë në tjetrën. Ditën e dytë ndoqëm rrjedhën e lumit Vjosa, e cila rrjedh rrëmbyeshëm nga Greqia në Shqipëri, midis ujëvarash e kataraktesh të mbidheshme e të nëndheshme. Dy roje kufiri në cepat e urës, njëri nga ana e bardhë-blu e tjetri nga ana e flamurit të kuq me shkabën e zezë të shqiptarëve, që nga koha e Skënderbeut, bënë çdo lloj përpjekjeje për t’u dukur gjakftohtë e armiqësorë. Një paketë cigaresh e ndryshoi gjendjen, ata menjëherë nisën të diskutonin se cila anë ishte më e mirë për të nxjerrë fotografi, ajo e shqiptarëve apo ajo e grekëve. Pas rreth një ore rrëkeja e vogël u zgjerua e u ndodhëm në një luginë të vërtetë alpine, të gjelbër me një lumë të thellë që e përshkonte duke zbritur nga maja malesh të largëta me dëborë.

Link pjesa e dytë

Link versioni italisht: Albania, il regno più giovane d’Europa (1)

0 Comments