domenica 31 luglio 2011

Zef Krispi mbi gjuhën maqedonase

Nga Plutarku[1] mësojmë se Kliti, kur ndodhej njëherë në një festë në Babiloni, u grind me Aleksandrin, i cili, në inat e sipër, e gjuajti gjeneralin me një mollë që e mori nga frutat e vendosura mbi tryezë dhe pastaj, i tërbuar, zuri të kërkonte shpatën që ta godiste, kërceu dhe u kërkoi ushtarëve në gjuhën maqedonase armët. Kjo ishte shenjë e një turbullimi të madh. Kjo tregon që gjuha maqedonase ishte ajo që përdorej në ushtrinë maqedonase për nevoja më të ngutëshme dhe në raste ngjarjesh të papritura, kur kërkohej ndihme e luftëtarëve më besnikë të popullit, por që të mos kuptohej nga të huajt. Këtë do të thotë edhe shprehja ishte shenjë e turbullimit të madh, sepse ai kishte përdorur gjuhën vulgare në një çështje me rëndësi të madhe dhe për një nevojë të ngutëshme që kërkonte besimin kombëtar.

Giuseppe Crispi (1781-1859)

Zef Krispi (1781 – 1859)

Te Kurciusi[2] lexojmë se Aleksandri e pyeti Filotën[3] nëse ai, sikur të bëhej fjalë për dënimin e tij, donte ta bënte mbrojtjen në gjuhën e nënës, para ushtrisë së përbërë nga grekë, maqedonas dhe ilirë. Atëherë Filota u përgjigj: përveç maqedonasve shumë të tjerë janë të pranishëm këtu, të cilët, siç besoj unë, do të më kuptojnë më lehtë nëse përdor atë gjuhë që ke përdorur edhe ti, dhe nuk e përdor për asnjë qëllim tjetër përveçëse që fjalët e tua të kuptohen nga sa më shumë njerëz.

Edhe pse, siç thotë Krofi[4], Kurciusi nuk e përmend emrin e gjuhës në të cilën kishte folur në atë rast Aleksandri, ka shumë të ngjarë që, për tu kuptuar nga të gjithë grekët, e jo vetëm nga maqedonasit të ketë folur në gjuhën greke.

Kopertina e librit, versioni shqip

Kopertina e librit, versioni shqip

Neoptolemi, sipas tregimit të Plutarkut, i thotë Eumenesit se maqedonasit e donin në mënyrë të jashtëzakonëshme Kraterin[5] aq shumë saqë, vetëm po t’i shihnin përkrenaren dhe t’i dëgjonin zërin, kalonin me vrap, me gjithë armë në anën e tij. Eumenesi i bindur për këtë dhe meqë mbahej si njeri finok, kishte urdhëruar që në ushtrinë e tij të mos përmendej kurrë emri i gjeneralit kundër të cilit duhej luftuar. Për këtë meritonte të lëvdohej deri në qiell nga biografi i njohur grek. Është e vërtetë se fjala τήν φωνήν (tin fonin), të cilën përdor Plutarku, do të thotë zëri, megjithatë, nga i gjithë konteksti, del se duhet marrë më shumë si gjuhë, duke aluduar për vetë të folurën maqedonase.

Por le ta lëmë këtë pjesë që duket sikur ka ndonjë ekuivok, dhe të kalojmë në një më të qartë, e cila mund të lexohet po në “Jetën e Eumenesit”. Ky gjeneral u sëmur rëndë. Ushtria e tij, e rënë moralisht, nuk donte të përballej me armikun. Kur mori vesh këtë, Eumenesi urdhëroi ta ngrinin me lektigë[6] , nga e cila nxorri kokën dhe u shfaq ndërsa u përshëndet në gjuhën maqedonase nga maqedonasit që ngritën mburojat dhe u përëlasën në tokë heshtat duke lëshuar thirrje ngadhënjimi, nga që aty ishte i pranishëm gjenerali, dhe pastaj sulmuan armikun.

Tek “Athinasi” lexojmë për gjuhën maqedonase: Kam njohur, - thotë Cinulkusi[7] - disa athinas që, nga që bisedojnë me maqedonasit, pastaj nuk heqin më dorë nga përdorimi i fjalëve maqedonase dhe nga format e të folurës së atij populli. Dhe Straboni duke numëruar popujt që u ishin nënështruar maqedonasve, pohon se jo pak prej tyre flisnin dy gjuhë, pra maqedonisht dhe greqisht, se maqedonasit, epirotët dhe popullësi të tjera të asaj pjese të vendit, ngjanin nga qethja e flokëve, nga gjuha, nga mantelet dhe nga zakone të tjera të përafërta.

Nga Plutarku dimë se Aleksandri përdorte Hefestionin[8] për t’u dhënë përgjigjet ose mesazhet mbretërore barbarëve dhe Kraterin, njohës e ndjekës i rreptë i zakoneve të vendit, për të komunikuar me grekët dhe maqedonasit. Nga teksti shohim qartë dallimi që bën Plutarku mes helenëve dhe maqedonasve: τοίς Ελλησι και Μακεδόσι (tis elisi ke tis makedosi), dhe aq më tepër që flitet për Kraterin si për një burrë të zellshëm për gjërat e atdheut të vet, pra ato maqedonase, mes të cilave spikaste edhe zelli për gjuhën.

Kështu që, me plot të drejtë, Krofi dhe Volfgangu arrijnë në përfundimin se gjuha maqedonase ishte krejt ndryshe nga gjuhët e tjera të Greqisë. Me kaq ndryshim, nuk mund të thuhet se ajo përbënte një lloj dialekti, aq sa ndryshonin mes tyre, për shembull, dialektet athinas, dorik, jonik dhe eloik që, në fund të fundit, përbënin, të gjithë bashkë, të folurën greke dhe që kuptoheshin nga të gjithë helenët; në një kohë që maqedonishtja, siç e treguam më lart, nuk kuptohej nga helenët dhe maqedonasit përbënin një popull shumë të ndryshëm nga grekët. Kjo nuk është e vështirë të tregohet përmes shumë argumentave.

Aleksandri duke nëmur kundër Klitit, i revoltuar kundër Senodokut nga Kardia dhe ndaj Artemios nga Kolofoneja, thotë i zemëruar: A nuk ju duket se këtyre helenëve u është rritur mendja dhe shëtisin mes maqedonasve si gjysëmzota mes kafshëve? Grekët e vërtetë mbaheshin tërë madhështi për shkak të kulturës greke dhe i shihnin maqedonasit si barbarë, për shembull athinasit ose peleponezasit, edhe kur këta ishin me origjinë nga fiset dorike, po kështu, as tebanët apo lokrët, as ata nga Eubea dhe, duhet thënë se, të gjithë, edhe pse kishin dialekte të ndryshme, megjithatë quheshin grekë.

Përkundrazi, Demosteni, në “Harengën” e tij kundër Filipit, dhe pikërisht në pjesën e tretë, e quan më shumë se barbar këtë mbret i cili, sipas oratorit, jo vetëm që nuk është fare grek dhe nuk u përket grekëve në asnjë lloj gjëje, por nuk u përket as barbarëve që kanë ndonjë emër. E megjithatë, Demosteni e dinte mire se Filipi e kishte origjinën nga heraklidëd sepse, nga Plutarku, kemi si fakt të pakundërshtueshëm se Aleksandri ishte pasardhës i eraklidëve nga Karanoja nga ana e babait ndërsa, nga ana e nënës, rridhte prej fisit të eacidëve, sipas Neoptolemit. Kështu që mjaftonte vetëm emri maqedonas, që oratori grek ta vinte në lojë në atë mënyrë sovranin e Maqedonisë, vend ku kishin mbetur zakonet e lashta barbare bashkë me gjuhën, ndërsa helenët tashmë të qytetëruar i kishin braktisur dhe e kishin pastruar gjuhën prej tyre. Që ndonjëherë, në lashtësi, maqedonasit quheshin ende me emrin e përgjithshëm grekë, kjo mund të ketë ndodhur sepse, pasi kapërcyen kulmin e fuqisë së tyre, sidomos nga kohët e Aleksandrit e më pas, në mbretërinë e tyre u fut greqizimi dhe vetë grekët nisën ta mburrin e lëvdojnë Perandorinë maqedonase, duke e parë atë si të ishte greke. Ndërsa Demarati nga Korinti[9], i afërm i Aleksandrit, kur pa këtë pushtues në fronin mbretëror të Darios, nën baldakinin e praruar, qau i mallëngjyer, siç bëjnë pleqtë, dhe tha se grekët që kishin vdekur para se të shihnin Aleksandrin në fronin e Darios, i kishin hequr vetes një kënaqësi të madhe.

Kështu që nuk mund të kundërshtohet fakti se Maqedonia ka qenë e ndryshme nga Greqia dhe se ka pasur një gjuhë të vetën; një gjuhë primitive dhe barbare të lidhur me frigjen dhe me pellazgjishten, e cila, sipas të gjitha provave që kemi mbledhur, është shqipja që ka lidhje me maqedonishten e atëherëshme.


[1] Vita Alex.

[2] Quintus Curtius Rufus, historian romak i shek I para Krishtit, shënim i përkthyesit.

[3] Greq. Filotas, djali i Parmenionit, gjeneral dhe komandant i kalorësisë së Aleksandrit. Shënim i përkthyesit.

[4]Joh. Bapt. Crophii, antiqui. Maced. Lib. 2. Cap. 5 apud Jacob. Gronov. Vol. 6.

[5] Greq. Krateros, gjeneral maqedonas. Shënim i përkthyesit.

[6] Barrelë e mbuluar. Shënim i përkthyesit.

[7] Theodorus Cynulkos, filozof grek. Shënim i përkthyesit.

[8] Mik i Aleksandrit dhe gjeneral. Shënim i përkthyesit.

[9] Qytetar i pasur, familja e të cilit pretendente se rridhte prej Herkulit, i ati i Tarkuino Priskos, mbretit të pestë të Romës. Shënim i përkthyesit.

Marrë nga libri Shqipja nëna e gjuhëve i autorit Giuseppe Crispi

Përktheu nga italishtja Taulant Hatia

Link versioni italisht: Giuseppe Crispi sulla lingua macedone

P.S. Administratorët e blogut ju urojnë pushime të këndëshme dhe ju japin takim në shtator me të tjerë post “enigmatik” mbi gjuhën shqipe. Qoftë një muaj plot me lexime tërheqëse.

domenica 24 luglio 2011

Përçarja që mbolli Kisha Ortodokse midis shqiptarëve myslimanë dhe ortodoksë

Roli që ka luajtur Kisha Ortodokse greke dhe serbe ndaj shqiptarëve në momente të ndryshme historike, ka qenë tepër negativ. Klerikët ortodoksë, në mënyrë të hapur apo të fshehtë, kanë bërë thirrje për të zhdukur shqiptarët. Për klerikët serbë shqiptarët ishin “gjarpërinj helmues që duheshin zhdukur, mbytur ose u duhej shtypur koka[1] “. Institucioni më i lartë shpirtëror serb, gjatë luftës së 1999-s, u bënte thirrje të gjithë serbëve që të vrisnin sa më shumë shqiptar. Kjo duhej të bëhej në emër të “Zotit” serb, me arsyetimin se shqiptarët janë të pafe dhe se ai që është serb i vërtetë nuk mund të ngurrojë që të ketë mëshirë në këtë drejtim.

Planet per zhdukjen

Kopertina e librit

Pra me një fjalë, kisha e Zotit mëshirëplotë, të mirë dhe të drejtë, bën thirrje për vrasje macabre ndaj njerëzve. Nuk dihet se punën e kujt ka bërë kjo kishë, pasi Zoti nuk e urdhëron vrasjen, madje e dënon ashpër një gjë të tillë!

Kisha Ortodokse greko-serbe i urren shqiptarët vetëm nga që janë të tillë dhe nuk duan të shëndrrohen në grekë dhe serbë. Priftërinjë ortodoksë kanë qenë në krye të lëvizjeve antishqiptare në Ballkan. Ata kanë qenë frymëzuesit shpirtëror të nacionalizmit greko-serb dhe të masakrave që janë ndërrmarë ndaj shqiptarëve. Në vend që roli i kishës të ishte paqësor, ka qenë antihuman, dhe kjo tregon qartë se ajo është përzier me politikën.

Kisha Ortodokse ka pasur si qëllim t’i dëbonte shqiptarët, sepse ajo ka qenë përfituesja më e madhe e tokave që lanë pas ata. Kjo kuptohet qartë pasi kisha greke është pronarja më e madhe e tokave në Greqi edhe sot.

Kisha Ortodokse përçau shqiptarët myslimanë dhe ortodoksë, duke i quajtur ortodoksët greko-serbë, dhe myslimanët shqiptarë.

Proçesi i helenizimit nis me bërjen ortodoks dhe mësimin e gjuhës greke. Këtë e kanë realizuar shumë mirë priftërinjtë e kësaj kishe. Një prift që mbahet si shenjtor, i quajtur Shën Kozma, ka qenë më aktivi në proçesin e asimilmit të shqiptarëve. Ai u predikonte epiriotëve që të mësonin greqishten dhe ndër të tjera u thoshte:

Dërgojini fëmijët tuaj të mësojnë greqisht sepse kisha jonë është greke. Dhe ti, vëllai im, po nuk mësove greqisht, nuk mund t’i kuptosh ato që thotë kisha jonë. Më mirë, vëllai, të kesh shkollë greke në vendin tënd se sa të kesh burime dhe lumenj. Cilido i krishterë. Burrë apo grua qoftë, që më premton që nuk do të flasë shqip në shtëpi, le të ngrihet në këmbë dhe të ma thotë këtu. Unë do t’i marr të gjitha mëkatet e tij mbi vete, që nga dita e lindjes së tij e deri më sot, do t’i porosit të gjithë të krishterët që t’i flasin dhe do t’ia shlyej të gjitha mëkatet”. (Predikimi 7 drejtuar shqiptarëve të Epirit).

Kuptohet qartë që Shën Kozmai i ftonte shqiptarët dhe sidomos fëmijët dhe të rinjtë ortodoksë, që të mësonin greqisht, sepse Kisha Ortodokse, sipas tij, ishte greke dhe nuk mund të bëhej kurrë shqiptare. Ai u impononte lënien e gjuhës së tyre, shqipen, për të folur në shtëpi greqisht, me qëllim që të asimiloheshin në grekë.

Në Samarinë, pjesa më e madhe e popullësisë ishte vllahe. Në një fjalim të mbajtur kundër gjuhës së tyre, Kozma Etoliani ka thënë para tyre gjërat më qesharake që mund të dalin nga goja e një prifti. Kështu u tha:

Perëndia e konsideron veten të fyer kur dëgjon lutje ose lavde në gjuhën vllahe. Që Perëndia të dëgjojë lutjet e besimtarëve ortodoksë, ata duhen t’i bëjnë ato në greqisht. Kur u flet engjëjve, Perëndia u flet në greqisht, ndërsa kur i shfryn Djallit, përdor gjuhën vllahe”.

Në predikimet e tij ai thoshte:

Të gjitha fetë e botës janë mashtruese, vetëm feja ortodokse është e patëmetë dhe e shenjtë”. (Predikimi 1).

Për “shenjtorin” e lartpërmendur, Kristo Frashëri shkruan “Kozma Etoliani nuk ishte vetëm një misionar i ortodoksisë fanariote, por siç e pranojë edhe historianët e sotëm grekë, mbi të gjitha ishte një flamurtar i helenizimit[2] “.

Historianë grekë si Sakelariu e quajnë Kozmain si “një nga figurat më të ndritura, që punoi për përgatitjen e Rilindjes Greke[3] “. Shën Kozmai punoi në të vërtetë për helenizimin e Shqipërisë Jugore dhe ka dhënë kontributin e tij që një pjesë e shqiptarëve ortodoksë të mësonin gjuhën greke të kishës dhe të mernin emrin minoritet grek, ose më mirë grekofonë, pasi këta nuk janë aspak grekë, por shqiptarë që flasin greqisht.

Pra, Kisha Ortodokse greko-serbe ka luajtur një rol të madh në orientimin e politikave nazionaliste dhe antishqiptare në Ballkan. Kisha ka qenë një nga shkaktaret e vuajtjeve të shqiptarëve. Shqiptarët nga natyra janë tolerantë për çështjet fetare. Ata as kanë vrarë dhe as nuk vrasin për shkak të fesë popuj të tjerë.


[1]Muhamet Shatri, LNÇ në Prizren dhe rrethinë (1941 – 1945), Prishtinë, 1987, f. 186.

[2] Gazeta “Korrieri, 8 dhjetor 2004.

[3] Epirus, 4000 years of Greek history and civilization, Athens 1997.

Marrë nga libri Planet për zhdukjen e shqiptarëve i autores Elena Kocaqi Levanti

Link versioni italisht: La divisione tra gli Albanesi ortodossi e musulmani a causa della chiesa ortodossa


domenica 17 luglio 2011

Gjurmë të gjuhës Pellazgo-Venete

Duhet përmendur një mbishkrim i gjetur në Colli Euganei, ku lexojmë për një dënim të pamëshirshëm me prerje koke për tradhëti.

Bëhet fjalë për një pllakë guri katrore me një bazoreliev që rafiguron një karrocë me kuaj të harbuar, që inkurajohen për të vrapuar nga dy personazhe, njëri ka mundësi që të jetë egzekutuesi i ekspeditës ndëshkimore kundër tradhëtarit, kjo theksohet nga gjykimi i rëndë që rrethon nga të tre anët bazorelievin:

clip_image002[4]

Pellazgo-Venete

Shqip



ATE

Ate

XE

qe

I FE

i fe

IKHNOI

idhnoi

KROAN

Kryen:

MNIIOIE

mënjanoie,

KAPE

kape,

THERI

there,

SE

se

KHO

e do.

clip_image004[8]

[…] Tani le të përqëndrohemi tek dy anfora që, me koncepte të ngjashëme ndërmjet tyre, ofronin gëzim dhe kënaqësi njerëzve me anën e përmbajtjes së tyre që përbëhej prej verës.

clip_image006[6]Marrim në shqyrtim si fillim një anforë që përmbante verë të shekullit të IV para Krishtit që ruhet në Muzeun e Vatikanit dhe ne arrijmë që të ndjejmë euforinë e përcjellë nëpërmjet “shpirtit” të asaj pije që, si edhe në ditët e sotme, edhe në atë kohë krijonte një lidhje çlodhëse dhe miqësie ndërmjet të ftuarve:

clip_image008[4]

Pellazgo-Etruske

Shqip



MIIA

Mija (Timen)

RISA

risìa (rini)

A KHS

ta kesh

Kjo frazë mund ta përkufizojmë si një dolli të paraardhësve tanë, të cilëve vera e anforës i jepte gjallëri dhe i bënte që të ndjesheshin të rinj.

Tani le të shqyrtojmë një tjetër anforë që përdorej për mbajtjen e verës, të ekspozuar në Muzeun e Kiusit:

clip_image010[9]

clip_image012[4]

Pellazgo-Etruske

Shqip



ARNO

Arno (Krijuesi)

SE

ORE

ore (kohës)

Ti verë je një krijuese e kohës, sepse na bën të jetojmë kohën dhe e rinovon, ti meriton këtë emër” ky mund të jetë kuptimi i këtyre fjalëve.

Por mund që të përfaqësoj edhe një dedikim ARNO-S, që me përmbajtjen e anforës bën të lumtur njerëzit.

Sido që të jetë, anforat janë të bukura dhe konceptet janë humane, koncepte që atëherë si edhe sot dhe përgjithonë, përsëriten në përjetësi.

Përktheu nga italishtja Elton Varfi

Marrë lirisht nga libri L’etrusco lingua viva i autores Nermin Vlora Falaschi

Link versioni italisht: Tracce di lingua Pelasgo - Veneta

domenica 10 luglio 2011

Mbretëria e Princit të Vidid (2)

-Pjesa e dytë dhe e fundit-

Link pjesa e parè : Mbretëria e Princit të Vidid (1)

Në terren, oficerët hollandez filluan të organizojnë xhandarmërinë. Majori Thomson formoi repartin që ishte i destinuar për Shqipërinë e Jugut dhe i besoi “patriotizmit të tyre pamvarësinë e vendit”. Problemet finanziare mbetën pa zgjidhje. Në të vërtetë në shkurt nuk ishte akoma derdhur kësti i parë i huasë prej 75 milionë franga ari që ishte premtuar nga Fuqitë e Mëdha, kështu që Austro – Hungaria dhe Italia dhanë një paradhënie prej 5 milionësh secila. Princi kishte filluar të krijonte Oborrin e tij dhe kishte programuar vizitata zyrëtare Fuqive që e kishin zgjedhur, më përpara në Romë dhe në Vjenë, e më pas në Londër e Paris duke kërkuar që të ruante të ekuilibruar raportet me Austro –Hungarinë dhe Italinë, por nuk anashkalonte raportet me Fuqitë në përgjithësi.

Në Durrës filluan mënjëherë punimet për restaurimin e një pallati të vjetër që ishte i destinuar të bëhej pallati mbretëror. Nga Berlini erdhën mobiliet e dërguara nga Vidi dhe nga Vjena erdhën restauruesit.

Mbërritën në Durrës edhe “gjashtëmbëdhjetë kuaj dhe tre komplete të kuq që përdoreshin për gjah” mbi të cilët, mbas fundit të mbretërimit ironizoi “Illustrazione Italiana”, por që në fillim kishte përshëndetur Princin kur kishte mbërritut në Romë si “personazh i shquar, me gusto të hollë dhe një zotëri i shkëlqyer” dhe i kishte dedikuar kopertinën portretit të tij kur kishte takuar San Xhuliano-n.

I pritur me komente dhe me njëfarë triumfi sepse “në në formimin e Shtetit të ri kishte mbizotëruar politika italiane”, Vilhelm i Vidid mbërriti në Romë më 10 shkurt për të marrë nga mbreti i Italisë “një lloj përkrahje morale”.

Princi takoi Viktor Emanuelin e III-të që e dekoroi me kollaren e Shën Maurizit dhe Llazarit, vizitoi Kryeministrin Xhioliti dhe pati një bashkbisedim të gjatë me San Xhiuliano-n. “Giornale d’Italia” theksoi që nuk bëhej fjalë “për vizita të thjeshta protokolli, por për mbledhje afaresh nga të cilat [Vidi] do të nxjerri mësime për të ditur se si të sillet kur të jetë ai që do të qeverisi, midis njëmijë vështirësish që rrjedhin jo vetëm nga kushtet e brendëshme të Shqipërisë, por edhe nga situata diplomatike, që kërkon një sens ekuilibri” dhe i uroi me ton paralajmërimi që Princi i Vidid të kishte kuptuar që “rruga për në Durrës kalon nga Roma e nga Vjena […]”.

Romë.Princi i Vidid takon markezin e San Xhulianos

Romë.Princi i Vidid takon markezin e San Xhulianos

“La Tribuna”, me më shumë optimizëm shkruante: “Shqipëria mbas konvulsioneve partizane të Vlorës dhe Durrësit […] u qetësua në një pritje plot me besim të Sovranit që Fuqitë kanë zgjedhur. Princi i Vidid ka sot rreth tij elementët më të mirë të shtetit të ri. Ka një mirkuptim që mund të duket edhe pak i pabesueshëm”. Gjithshka dukej gati për aventurën e madhe. Por si thuhet, djalli fshihet gjithmonë në detajet dhe nuk vonon që të duket. Në përgjithësi kur nervoziteti i të gjithve është në maksimum. Të nesërmen e këtyre komenteve entuziastë, u mor vesh që mbas vizitave dipllomatike dhe mbasi të shkonte në Neuwied për të pranuar fronin, Princi do të nisej për në Durrës me luftanijen e marinës Austriake “Taurus”, e përgatitur veçanërishtë për udhëtimin dhe e shoqëruar nga një skuadrilje ndërkombëtare, dhe do të imbarkohej në Trieste. Por një traditë “e pashkelur që nga 1866” (viti i betejës së Lisës) donte që asnjë luftanije italiane nuk mund të vizitonte Triesten.

Kapiteni Kastoldi – oficer italian “komandant pranë ministrisë së Jashtëme për misionet dipllomatike” që së bashku me Buchberger formonte gabinetin politik të Princit – u shpejtua të minimizonte çështjen dhe mbi të gjitha të theksonte nevojën e bashkpunimit italo – austriak dhe sinqeritetin e mardhënieve ndërmjet dy kryeqyteteve. Megjithatë eksitimi politik që u shkaktua nga kjo ngjarje në Trieste dhe në Romë, qe i tillë që ministria e Marinës deklaroi që kryqëzori “Quarto”, i vendosur që të shoqëronte Princin, do të qëndronte në Adriatik dhe do të takohej me luftanijen “Taurus” në det të hapur.

Më 12 shkurt Esat Pasha u nis nga Shqipëria për misionin e tij solemn mbasi kishte mbajtur një fjalim lavdërues për Princin. Të nesërmen – tre ditë mbas vizitës së Princit në Romë – pashai pa ju dridhur qerpiku deklaroi në Romë gazetarëve që “vetëm një pakicë të egzaltuarish kishin bërë të mundur për një moment që Europa të besonte që në Shqipëri egzistonin fraksione kundër Princit” dhe ndihej krenar dhe i lumtur për misionin që i kishin ngarkuar duke shtuar: “delegacioni që unë udhëheq është manifestimi i parë i koshencës kolektive që populli shqiptar tregon që nga koha e Skëndërbeut”.

Delegazioni shqiptar bëri një ndalesë në qytetin e Këlnit, për të përcaktuar protokollin e ceremonisë së ofrimit të fronit. Por doli një problem i vogël formal: Esat Pasha do ti lexonte Princit emërimin e tij në gjuhën shqipe, dhe do ta quante Mbret, por ç’farë titulli do të përdorej në përkthimin frëngjisht që do ti jepej Mbretit, titulli Princ apo i Mbret i Shqipërisë? Ndërkohë, koronat që argjendari Dopler kishte projektuar – “dy rretha të artë të mbushur me turkez” – nuk do të vendosej mbi ta as kryqi dhe as gjysëm hëna, por ylli si një simbol më neutral.

Më 21 shkurt Neuwied, qyteti i Prusisë pranë lumit Ren, ishte e zbukuruar për festë me një hark triumfi përpara kështjellës së Vidid, përshëndeti delegacionin shqiptar që u prezantua me veshje të zezë dhe me kapele me cilindër, dhe u prit nga mareshalli i Oborrit. Pinci përshëndeti Esat Pashën, i cili mbajti fjalimin me të cilin i lutej të pranonte fronin e Shqipërisë “së lirë e të pamvarur, e detyruar të luftojë me zjarr për lirinë e saj, por që kurrë nuk ka harruar të shkuarën e saj të lavdishme dhe që ka ditur të mbajë shpirtin nacionalist dhe gjuhën e të parëve”. Esat Pasha garantoi Princin që “shqiptarët kishin për të qenë pa përjashtim shtetas besnik të Madhërisë Suaj dhe gjithmonë të gatëshëm për të ndimuar punën tuaj për ti dhënë Shqipërisë në një avenir më të mirë” dhe përfundoi me ritualin “Rroftë Mbreti i Shqipërisë”.

Vilhelmi i Vidid u përgjigj në gjermanisht duke pranuar fronin “e vendit që mbas luftimesh dhe vështirësish të shumta kishte arritur që të ishte i lirë” dhe garantoi impenjimin e tij për mirëqënien e popullit shqiptar”. Princi nuk fshehu dyshimet që kishte pasur, i vetëdijëshëm për vështirësitë e mëdha dhe përgjegjësinë që kishte, por përfundoi , që kishte marrë garancinë dhe besnikërinë e gjithë shqiptarëve.

Neuwied. Ofrimi i fronit të Shqipërisë në një kopertinë të "Tribuna Illustrata”

Neuwied. Ofrimi i fronit të Shqipërisë në një kopertinë të “Tribuna Illustrata”

Në të njëjtën kohë, gjatë kthimit për në Durrës, Esat Pasha ndaloi në Vjenë ku më 1 mars, u prit nga Perandori dhe nga Berchtold i cili i dha Kryqin e urdhërit të Françesko Xhusepe. Një e veçantë e çuditëshme por jo pa interes për të kuptuar konkurrencën italo - austriake, në të njëjtën ditë ambasadori i Italisë në Vjenë, Arvana ftoi Esat Pashën në Ambasadë dhe i dha medaljen e Kavalierit të Koronës së Italisë. Në Shqipëri konfuzioni po rritej. Një demostratë patriotike ortodokse në favor të Princit të Vidid u organizua në Durrës ku, nga ana e tij Myftiu i myslymanëve mbajti një fjalim që kishte si qëllim bashkimin e gjithë shqiptarëve pa dallim feje. Në të njëjtën kohë Zografos telegrafoi nga Korfuzi Komisionit të Kontrollit dhe “një asamble e epirotëve” e mbajtur në Gjirokastër kishte vendosur lirisht që të mos njihte sovranitetin shqiptar dhe që konsideronte armiqësore hyrjen e trupave shqiptarë në “Epir”.

Gjatë rrugës për në Durrës, Princi u prit me hare në Trieste më 5 mars dhe jo vetëm nga autoritetet austiake por edhe nga personalitete katolikë shqiptarë të lidhur me Austrinë, kryepeshkopi Bianki, dhe nga një tjetër personalitet i fuqishëm siç ishte imzot Kaçorri. Mbas imbarkimit në luftanijen “Taurus” që kishte vënë flamurin shqiptar, dhe mbas një vizite në kështjellën “Miramare” ku u përshëndet nga goditjet e topave, Princi me gruan e tij mori detin i shoqëruar nga skuadrilja ndërkombëtare të cilës pastaj ju shtua luftanijet italiane me në krye kryqëzorin “Quarto”.

Më në fund më 7 mars 1914 sovranët sbarkuan në Durrës që ishte i tëri i zbukuruar me flamuj, dhe u përshëndetën nga goditjet e topave të luftanijeve dhe të baterisë së kryeqytetit, të shoqëruar nga dy batalione nderi, një italian dhe një austriak, të pritur nga prefekti i qytetit, nga gjenerali De Weer që komandonte xhandarmërinë dhe nga personalitete shqipëtarë, ndërsa banda luante himnin kombëtar të kompozuar nga maestro italiani Nardella, dhe delegacionet e misardhjes i jepnin tufa me lule princeshës. Krahas delegacioneve të huaj, erdhën edhe delegazione nga çdo anë e vendit, nga provincat “akoma jo të lira” dhe të kolonive shqiptare jashtë atdheut si edhe arbëreshët italianë për të treguar besnikëri Mbretit të Shqipërisë.

Sapo mbërriti, Princi lëshoi një deklaratë që do të na dukej e çuditëshme – dhe në fakt është – po të mos kemi parasysh kohën dhe atmosferën: “do të jetë një regjim ky i imi as absolut dhe as kostitucional: vullneti im do të hyjë direkt në organizimin e Shtetit, por vendi do të ketë përfaqësuasit e tij në një Senat të zgjedhur gjysma nga unë dhe gjysma nga populli”.

Aristokracia e Durrësit, imbarkohet në barkat e marinës italiane për të pritur Princin e Vidid

Aristokracia e Durrësit, imbarkohet në barkat e marinës italiane për të pritur Princin e Vidid

Durrës. Mbërritja e Princit të  Vidid . Me shpinë  Esat Pash Toptani

Durrës. Mbërritja e Princit të Vidid. Me shpinë Esat Pash Toptani

Festa për ardhjen e Princit zgjati një javë dhe u mbyll më 16 mars në katedralen ortodokse në prani të kryepeshkopit katolik të Shkodrës Imzot Serreqi dhe të abatit të mirditorëve me një Te Deum solemn në nder të Princit që kishte veshur me këtë rast uniformën blu të gjeneralit shqiptar, “i shoqëruar nga princesha me fustan vishnje”.

Ndoshta edhe për të mohuar thashethemet e vigjiljes, Perandori Vilhelmi i II-të u shkroi shqiptarëve një proklamë “që presim që të gjithë sa jeni të mbidheni rreth mbretit tuaj dhe të punoni për arritjen e aspiratave kombëtare”.

Princi i Shqipërisë formoi menjëherë qeverinë e tij. Turkan Pash Përmeti, ambasador i vjetër osman, u bë i pari president i Këshillit të Ministrave dhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë së lirë, ndërsa Esat Pash Toptani u emërua gjeneral, ministër i Luftës, dhe mbas pak kohe edhe ministër i Brendëshëm, si përgjegjës i sigurimit kombëtar. Mufid bej Libohova, mbuloi rolin e ministrit të Drejtësisë dhe të Punëve Fetare.

Edhe organizimi i Oborrit po merrte formë. Përveç Trotës, bënin pjesë Kastoldi dhe Buchberger, këshilltarë të Princit dhe segretari të veçantë, anglezi D. Eaton Armstrong. Tre shqiptarë plotësonin strukturën e vogël, çambelani Sami bej Vrioni dhe dy ndimësat në terren Ekrem bej Libohova dhe Selim bej Vasa.

Princi i Vidid e filloi mbretërimin me një vendim të gabuar, sapo formoi qeverinë e re, dërgoi në Vlorë Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit që duhej ta ndihmonte sipas vendimenve të Konferencës së Londrës dhe të mbikqyrte administratën civile dhe financat, dhe mbi të gjitha ishte një aleat i mirë pranë kryeqyteteve të Fuqive.

Jeta në mbretërinë e re filloi me evenimente, që imazhet e fotografive dhe përshkrimet e gazetave, të sjellin nder mend jetën sociale të kolonive europiane të Mesdheut osman; pritje, kafe, tenis, oficerë dhe zonja elegante.

Por realiteti i trubullut shqiptar nxorri krye. Një nga ligjet e para që vendosi shërbimin ushtarak të detyrueshëm, ngjalli pakënaqësi, sidomos midis malësorëve që ishin imunë, ndërsa stabiliteti i brendëshëm ishte i brishtë dhe kjo u manifesta gati menjëherë.

Shkaku qe pushtimi i Jugut nga ana e grekëve. Reparte të “vullnetarëve epirotë” sulmuan xhandarmërinë, që nga ana e saj u mbrojt mirë edhe sepse u ndihmua nga trupa që i dërgoi nga Veriu Bib Doda, “princi” i mirditorëve. Filluan të vinin refugjatë myslymanë nga Tepelena dhe Gjirokastra. Korça u ndihmua nga governatori i Elbasanit. Në Gjirokastër xhandarmëria ndërhyri për të rrethuar lagjen e “epirotëve”, por u ndesh me trupar e rregullta greke të komanduara nga gjenerali Papoulias. Shkelja e pakteve nga ana e grekëve ishte e qartë dhe Princi protestoi me qeveritë europiane. Mori parasysh edhe nisjen e reparteve të armatosura, dukej që ishte më shumë një ide e Esat Pashës i cili deklaroi që donte të marshonte në Epir në krye të 25.000 burrave.

Komisioni Ndërkombëtar, i ngarkuar nga Fuqitë dhe i mbështetur nga paktet italo – austriake, vazhdoi bisedimet me palën greke dhe përfunduan më 17 maj me autoritetet greke së bashku me “epirotët” e Zografit “marrëveshjen” e Korfuzit që do ti jepej për shqyrtim kryeqyteteve europiane të cilat më pas ishin të ngarkuara të garantonin zbatimin e këtij pakti. Aprovimi arriti vetëm më 2 qershor.

“Pakti” ishtë që grekët të evakuonin territoret e pushtuara, por “epirotët” mbajtën një autonomi të tyren që konsistonte sidomos në konvertimin e bandave të tyre të armatosura në një xhandarmëri lokale që do të kryente shërbim vetëm në Korçë dhe Gjirokastër, të përbëra nga vullnetarë që ishin të armatosur por që komandoheshin nga oficerë hollandezë.

Në këto dy qytete, qeveria shqiptare duhej që të emëronte governatorë kristianë që do të kishin përkrahë këshilla të zgjedhur me votim të përgjithshëm. Liria e plotë e fesë ishte e garantuar, gjuha greke do të mësohej në shkolla dhe do të ishte e pranuar në administratë dhe në drejtësi.

Kriza e Epirit pati një jehonë të madhe ndërkombëtare dhe kështu bëri të kalojë në plan të dytë faktet e rënda që ndodhën në Kosovë e cila ishte aneksuar nga Serbia, dhe në territoret e Veriut që i kishin kaluar Malit të Zi. Serbë e malazezë filluan në mesin e prillit, të pushtonin territoret që i ishin dhënë atyre, por hasën një rezistencë të fortë. Shqiptarët ashtu si edhe turqit kërkuan që të arsimoheshin në gjuhën e tyre, por qeveria e Beogradit nuk i pranoi këto kërkesa, dhe i imponoi gjuhën serbe. Kryengritja e shqiptarëve bëri që serbët të sulmonin me egërsi dhe shkaktuan shkatërrimin e një mijë shtëpive shqiptare dhe vrasjen e qindra-mijëra grave dhe fëmijëve. Malazezët edhe ata filluan që të pushtonin territoret që i ishin caktuar atyre, dhe këtu me lëvizje trupash, refugjatë shqiptarë dhe shtëpi të djegura, saqë detyruan kolonelin Fhillips, komandant i Garnizonit Ushtarak Ndërkombëtar në Shkodër, të dërgonte 600 ushtarë ndërkombëtarë të komanduar nga një major gjerman me qëllim që të vinte pak rregull në kufi.

Përktheu nga italishtja Elton Varfi

Marrë lirisht nga libri Albania: un regno per sei mesi i autorit Ferdinando Salleo

Link versioni italisht: Il regno del Principe di Wied (2)

domenica 3 luglio 2011

Mbretëria e Princit të Vidid (1)

-Pjesa e parë-

Kërkimi i një Princi për Shqipërinë, ashtu siç e kishte vendosur Konferenca e Ambasadorëve, filloi menjëherë. Emërimi i një sovrani të huaj nuk ishte aspak një praktikë e re. Gjatë shekullit të mëparshëm Fuqitë e Mëdha, i kishin caktuar shteteve të rinj që po lindnin nga copëtimi i Perandorisë Osmane, princa europian që u përkisnin disa dinastive të vogla gjermane, gati të gjitha të “privatizuara” ose të kthyera në princa “virtual” dhe me bashkangjitjen e principatave të tyre në shtete gjermane më të mbëdhej. Këto dinasti kishin qenë për shekuj me rradhë “minierat” e martesave mbretërore. Natyrisht princi duhej që të kishte bekimin e Fuqive dhe të mos ishte i lidhur me një monarki tepër të fuqishme ose të mpleksur direkt në rajon. Deri në atë moment, princat kishin qenë kristian, protestant ose katolik dhe që adoptonin me dëshirë fenë e mbretërisë së re. Por Shqipëria, me pjesën më të madhe të banorëve të saj myslyman, ishte një rast i ri dhe i veçantë.

Për fronin e Shqipërisë pretendentët në fillim qenë të shumtë. Që në marsin e 1912-ës, Ferdinandi i Borbonës – Orleans, Duka i Montpensierit, kishte shkuar në Vlorë me një anije angleze dhe kishte shpallur kandidaturën e tij për fronin e Shqipërisë. I pritur përzemërsisht nga shqiptarët, u nis për në Romë, Paris, Vjenë dhe Londër me Isa Boletinin, për të marrë mbështetjen për pamvarësinë e Shqipërisë, por pa sukses. Kushtet nuk ishin pjekur akoma.

Përveç Montpensierit, midis pretenduesve të fronit ishin edhe princat Maurizio i Schaumburgut-Lippè, Karl von Urach, Gjika i Rumanisë, Rolando Buonaparte, Arthur i Connaught, Konti i Torinos si edhe një pasardhës i Skënderbeut që jetonte në Itali, Aladro Kastrioti. Porta e Madhe, duke konsideruar shumicën e popullësisë që ishte me fe myslymane, propozoi nga ana e saj tre princa myslymanë, Burhan Edin dhe Abdyl Mexhit, të dinastisë osmane, dhe princin e Egjiptit Ahmed Fuat Pasha, pasardhës i Muhamet Aliut, që ishte me origjinë shqiptare. Që të gjithë këta kandidatë u kundërshtuan si nga njëra dhe nga tjetra anë e Fuqive të Mëdha, ose u treguan pak të gatëshëm që të pranonin një sipërmarje të rastësishme. Edhe anëtarët e qeverisë së përkohëshme të krijuar nga Ismail Qemali, i bënë të ditur Fuqive por edhe Stambollit, që preferonin një princ europian, sepse donin që të theksonin që shteti i ri do të ishte një shtet perëndimor.

Më në fund, mbas shumë presionesh, përgjegjësia e zgjedhjes ra mbi Austro – Hungarinë dhe Italinë që zgjodhën një princ gjerman protestant, i huaj pra që nuk kishte aspak të bënte me grindjet fetare të shqiptarëve, Vilhelm i Vidid. Kjo zgjedhje u bë menjëherë e njohur, në të vërtetë akoma më përpara se Princi të kishte pranuar formalisht kërkesën, por që në fillim të vitit 1914, Vilhelm i Vidit bëri të njohur që kishte zgjedhur Durrësin si kryeqytet të mbretërisë së ardhshme të tij.

Kapiten në Shtabin Madhor gjerman, ushtar me ndjenjë të fortë nderi dhe me asnjë eksperiencë dipllomatike ose qeveritare, Vilhelm i Vidid u hodh në një aventurë aspak të qartë që kërkonte një talent të jashtëzakonshëm dhe shumë fat.

Mbretëresha Elizabetë e Rumanisë, shkrimtare e njohur nën poseudonimin e “Carmen Sylva”, e donte aq shumë nipin e saj saqë kishte shtyrë Mbretin Karol që të luftonte aktivisht që zgjedhja të binte mbi të. Shkroi mbi Princin e ardhshëm të Shqipërisë, artikuj të zjarrtë dhe poetikë, arriti deri sa të thoshte që “rumunët e kishin quajtur Lohengrin kur e panë të veshur me uniformën e bardhë të truprojës, me shqiponjën e argjendë”.

Princi i Vidid me uniformën e truprojës

Princi i Vidid me uniformën e truprojës

Shtypi italian qe menjëherë entuziast për “Sovranin e zgjedhur nga Europa”, dhe vazhoi me komente që lëvdonin një princ që nuk e njihnin aspak. Artikujt e “Carmen Sylvë-s” zinin një vend nderi në revistat së bashku me shkrimet mbi një adoleshencë dhe një rini të shkëlqyer.

Perandori i Gjermanisë ishte i ftohtë dhe nuk besonte shumë në kualitetet e kushëririt të tij, saqë shkroi që në atë kohë që do ta këshillonte që të mos pranonte. Por mohimi qe i menjëhershëm: Kaizeri i kishte shprehur vështirësitë e momentit, por pasi Princi të kishte pranuar nuk do të bënte asgjë për të kundërshtuar këtë zgjedhje. Në kujtimet e shkruara mbas ngjarjeve në Shqipëri dhe mbas Luftës së I-rë botërore, Gulielmi i II-të, konfirmoi dyshimet e tij mbi kapacitetin e qeverisjes së Princit të Vidid, por mund të vëmë re që ai vet nuk ishte mbi këtë argument më i kualifikuari i gjyqtarëve.

Me një ekuilibër që gati kalon në dhembshuri, dhe me shumë urtësi, Imzot Fan Noli, klerik ortodoks që do të ishte një figurë politike e rëndësishëme në vitet që do të vinin për Shqipërinë, shkroi që Princi i Vidid mund “të kritikohej vetëm sepse nuk kishte qënë i zoti që të bënte mrekulli”.

Vilhelmi i Vidid shkroi edhe ai një libër me kujtime, në të cilin tregohej që intrigat italiane, ruse dhe franceze, dhe komplotet e protektorëve të tyre, “imuniteti i Greqisë për makinacionet e saj”, por që edhe “neutraliteti” i Gjermanisë dhe i Anglisë, kishin bërë të pamundur detyrën e tij dhe kishin shkruar fatin e mbretërisë që zgjati aq pak. Kërkoi të shpjegonte indiferencën e Gulielmit të II-të për aventurën shqiptare të tij me faktin që Perandori “nuk e donte Shqipërinë” dhe që ishte filo-grek i influencuar nga motra e tij, Mbretëresha e Greqisë dhe nga kunati mbreti Kostantin.

Në një letër, drejtuar historianit anglez Swire, Princi i bëri thirrje epërsisë së kontestit europian për të justifikuar kaosin që i dha fund mbretërimit të tij në Shqipëri, dhe shkroi që kur lidhja austro – italiane mbaroi dhe “klima e ruajtjes së paqes ndërroi në atë të përgatitjes së luftës”, e gjithë baza e misionit u shkri, por arriti deri aty saqë të pohonte që “në kushte normale as Esat Pashë Toptani, dhe as rebelët e Shijakut nuk do të kishin guxuar që ti kundërviheshin vendimeve të Europës”.

Më 6 shkurt, i autorizuar nga Austro – Hungaria dhe nga Italia, Princi i Vidid i komunikoi ambasadorëve në Berlin të Rusisë, Britanisë së Madhe dhe Francës disponueshmërinë e tij dhe më 21 shkurt pranoi formalisht fronin në takimin me delegacionin shqiptar që kishte shkuar në Neuwied për tja ofruar.

Nga emërimi i Princit dhe deri sa ai pranoi kaluan dy muaj dhe nga kjo datë deri sa u nis për në Durrës kaluan vetëm pak javë, por trubullirat dhe grindjet në Shqipëri jo vetëm nuk u qetësuan por u bënë edhe më të ashpra duke paralajmëruar të gjithë për vështirësitë e kësaj sipërmarrje.

Princi preferonte që të priste derisa të qartësohej situata e ndërlikuar e mbretërisë së tij, përpara se ta merrte në posedim, por Berthold shtynte që të nisej sa më shpejt që të ishte e mundur për në Shqipëri, ku situata ndërlikohej gjithnjë e më shumë. Në të njëjtin drejtim lëviznin edhe kryeqytetet e tjera europiane ashtu si edhe grekët, që nuk ishin kundër një qeverisje të ngadalëshme nga ana e regjimit të ri, por që i friksoheshin një ndërhyrjeje të vendosur në Epir nga ana e Fuqive të Mëdha.

Trazirat ishin sporadike në Vlorë dhe në Elbasan, ashtu si edhe në brendësi të vendit. Në Jug, siç e pamë, grekët ishin në “përgjim” të kërkesave të Komisionit Ndërkombëtar dhe të vendimeve të Fuqive të Mëdha duke mbajtur të pushtuar “Vorio Epirin”. Në Vlorë, që ishte qëndra e qeverisë së përkohëshme, intrigat ndërmjet kryetarëve shqiptarë ishin të shpeshta, të keqësuara edhe nga aksionet e pandërprera të agjentëve turq që ushqenin moskënaqësinë midis myslymanëve për emërimin e një princi të huaj dhe kristian.

Rivaliteti ishte i fortë në Vlorë midis kryetarit të qeverisë së përkohëshme Ismail Qemalit dhe Presidentit të senatit Esat Pashë Toptani. “Vigjilja e trubullt e një mbretërie”, titulloi Gino Berri komentin e tij për editorialin e “Illustrazione Italiana”, duke përshkruar haptazi intrigat e Esat Pashës, “dinak, guximtar, një person pak i këshillueshëm” është “zgjedhja e partisë myslymane” që kishte humbur garën në lojën me Fuqitë e mëdha, por që nuk do të hiqte dorë nga lufta për pushtet “deri sa të dojë Allahu dhe… Esat Pashai”.

Esat Pash Toptani, ministër i luftës dhe i brendëshëm në fillimet e mbretërisë së Vidid

Esat Pash Toptani, ministër i luftës dhe i brendëshëm në fillimet e mbretërisë së Vidid

Përplasja midis dy personaliteteve shpërtheu kur një tentativë për grusht shteti filo – osman u evitua në momentin e fundit, por që detyroi qeverinë e përkohëshme të shpallte shtetrrethimin.

Grushti i shteti i Beqir bej Agës kishte si qëllim që të përmbyste vendimet e Konferencës së Londrës dhe të përfundonte me dhënien e fronit Izet Pashës që kishte qënë ministër i luftës në Perandorinë Osmane dhe që ishte me origjinë shqiptare edhe pse nuk fliste gjuhën shqipe. Izet Pasha e mohoi menjëherë një gjë të tillë, por pranë dyshimeve legjitime të manovrave turke, loja e akuzave reciproke filloi menjëherë dhe shtypi europian theksoi si frymëzues të këtij komploti si Esat Pashën ashtu edhe Ismail Qemalin – që natyrisht mohuan të indinjuar – dhe ushqeu thashethemet e para për refuzimin e fronit nga ana e Princit të Vidid.

Beqir bej Aga u gjykua menjëherë në një gjyq me dyer të mbyllura së bashku me bashkpunëtorët e tij – gjatë gjyqit dolën elementë që implikonin në komplot xhon-turqit , dhe u sekuestruan dokumente komprometent sidomos për Esat Pashën – dhe u dënua me vdekje. Megjithatë Komisioni i Kontrollit vendosi që të mos e egzekutonte por për çdo vendim të priste ardhjen e Princit.

Në Brindizi sbarkuan shumë shqiptarë che sillnin me vehte lajme shqetësuese, saqë filloi të shkruhej që Vidi “nuk do të gjente popullësi” dhe që të gjithë i kishte kundra për arsye fetare ose për zgjedhjen e Durrësit si kryeqytet, sepse kjo zgjedhje kishte “fyer” qëndrat e tjera të vendit. “Shqipëria në flakë?” lajme të rënda nga Vlora dhe Brindizi. Italia përgatitet” titullonte “Giornale di Sicilia” e datës 13 – 14 janar dhe “Esat Pasha premton besnikëri të zgjedhurit të Europës”.

Një ditë më pas “Corriere della Sera” publikoi një intervistë që Esat Pasha kishte dhënë në Durrës. Edhe se nuk mohonte ndjenjat që kishte për Turqinë, pashai kërkonte mbi të gjitha që ti shpjegonte Vidid që fronin e kishte falë tij, por që ai vet nuk e humbte shpresën që një ditë të bëhej princ i Shqipërisë. Një mesazh besnikërire shumë i çuditëshëm, dhe një fjalim politik shumë me dredha që Princi nuk do ta kishte kuptuar nëse Esat Pasha nuk do të ishte shqetësuar që ti shpjegonte me anën e një letre allëgiance (besnikërie), që shtypi vienez publikoi një javë më pas. Pashai iu betua me jetën e tij Princit që “gjatë ose deri sa ai vet të refuzonte fronin, asnjë person tjetër [nuk do të bëhej] mbret i Shqipërisë” dhe përfundonte “që në rastin kur Shkëlqesia Juaj të refusoj fronin ose të vdesi, do të jem unë i vetmi që mund tju zëvëndësoj”.

Filluan moskënaqësitë e para kundër Vidid sepse data e nisjes, disa herë e dhënë nga gazetat, shtyhej. Dolën artikujt e parë mbi nevojën që Princi të shkonte sa më shpejt të Durrës “që popullësia [të shohi] vullnetin e Europës të respektuar”. “Giornale di Sicilia” ishte e sigutrë që “jeta e tij [do të ishte] e trishtë dhe e mjerë”, por garantoi që do të ndiqte ngjarjet “ me admirim, simpati dhe shqetësim”.

Në gazetën “Zeit” të Vienës disa shqiptarë të pasur lëshuan deklarat nga më të çuditëshmet. Disa denoncuan mënyrën e adoptuar për zgjedhjen e Princit si “një mungesë respekti nga ana e Fuqive të Mëdha”, të tjerë parashikuan me tone kërcënuese që festa për ardhjen e Sovranit mund të “shqetësohej nga të shtënat e armëve” […] nga gëzimi” dhe saktësuan që parashikohej pjesëmarrja e 50.000 shqiptarëve “që janë gjithmonë të aramatosur dhe nuk i dihej se si mund të përfundonte […]”. Një i intervistuar deklaroi që Vidi nuk kishte shkuar ende në Shqipëri sepse priste “milionat e premtuara nga Europa” por që kishte dërguar disa bagazhe dhe mjekun e tij personal për të kontrolluar kushtet shëndetësore”, dhe një tjetër në fund deklaroi që Princi “kishte lënë të kuptohej që dëshironte të rrethohej vetëm nga gjermanë dhe anglezë dhe që donte të përjashtonte nga oborri i tij aristokracinë shqiptare […]”.

Situata e qeverisë së përkohëshme ishte bërë e paqëndrueshme. Më 15 janar Ismail Qemali propozoi që Komisioni i Kontrollit të merrte qeverinë e përkohëshme. Fuqitë e Mëdha falenderuan përzemërsisht plakun patriot që u nis për në Europë, dhe mbasi i dërgoi San Xhulianos dhe Berchtold-it një mesazh në të cilin lutej që “të ndimohet ky popull trim dhe i pafat dhe të mbrohen të drejtat e tij të pa respektuara nga armiqtë e tij”.

Me nisjen e Ismail Qemalit dhe të Esat Pashës – që kishte premtuar të jepte dorëheqje menjëherë - një periudhë relative qetësie mund të ishte vënë, por Esat Pasha nuk dha dorëheqje ( u justifikua më pas duke thënë që Ismail Qemalin e kishin shkarkuar, dhe që komploti i Beqir bej Agës ishte akoma në këmbë), përkundrazi bëri të ditur që do të ishte ai vetë që do ti dilte përpara Princit të Vidid për ti ofruar personalisht fronin e Shqipërisë.

Komisioni nga ana e tij vendosi si kusht të vetëm që Esat Pasha të jepte dorëheqje përapara nisjes dhe e ngarkoi të udhëhiqte delegacionin që do ti ofronte koronën Princit. Kumari i pashait pati sukses.

Link pjesa e dytë: Mbretëria e Princit të Vidid (2)

Përkthyer nga italishtja nga Elton Varfi

Marrë lirisht nga libri Albania: un regno per sei mesi i autorit Ferdinando Salleo

Link versioni italisht: Il regno del Principe di Wied (1)