sabato 23 aprile 2011

Gëzuar Pashkët

Administratorët e blogut, përfitojnë nga rasti për t’ju uruar të kaloni ditë sa më të qeta. Aktivitetet e blogut do të rifillojnë rregullisht të djelën e ardhshme. Në pritje ju ftojmë të lexoni disa nga artikujt më popullor e më të komentuar.

Gëzuar Pashkët.

Etimologjia e emrit Shqipëri, shqiptar, Albania, albanese
Ilirët dhe Ertuskët janë me prejardhje të përbashkët pellazgjike
Krahasim i gjuhës hebraishte me shqipen
Rëndësia e popullit Pellazgo-Ilir
Intervistë me professor Alberto Areddu autor i librit “Origjina Shqiptare e Qytetërimit në Sardenjë”

domenica 17 aprile 2011

Shqipëtarët në Siçili. Disa çështje të tyre. Kolegji grek i Palermos. Njerëz të shquar.

Kur pjesa e ushtarëve shqiptar, e udhëhequr nga Gjergji dhe Bazili bij të Dhimitër Reres, të cilët erdhën në ndihmë të Alfonsit I të Aragonës për ti dhënë fuqi në Kalabri, nga kjo provincë kaluan në Siçili, dhe u ndalën në Bisiri tokë e Mezarezes ku ishte garnizoni. Në atë kohë ata ushtarë të mirë nuk kishin qëllim që të vendoseshin e të jetonin jashtë atdheut të tyre, i cili edhe pse ishte i keqtrajtuar nga Turqit, kishte akoma krahët e Skënderbeut qè i jepnin siguri.

Ballina e librit

Ballina e librit

Por rrëfehet që më 1450 këta ushtarë u trasferuan nga Bisiri për në feudin e Konteshës[1], dhe aty formuan fshatin me këtë emër. E braktisën mbas disa viteve për të shkuar në Shqipëri ku lufutan nën flamurin e atdheut: por u kthyen për ta ripopulluar kur vdiq kryetrimi i Kastriotëve dhe për atë tokë filloi një epokë e tmerrëshme dhe fatale. U bashkun me ta një numur i madh familjesh të shquara fisnike, dhe nga këto familje patën origjinë kolonitë sikulo – shqipëtare. Shtatë ishin në fillim këto koloni. Kontesha, Hora e Grekëve[2], Palazzo Adriano, Mezoiuso, Bronte, S. Angelo, S. Michele. Por tashmë kanë mbetur vetëm katër të parat, duke qenë se tre të fundit kanë ndryshuar ritin e baballarëve dhe kanë humbur gjuhën dhe zakonet.

Kontesha pra, njeh themelimin e saj më 1450, dhe ripopullimin më 1480 nga trimat që erdhën me Reres në Kalabri që më 1448. Feudi i përkiste Alfonso di Cardona, dhe paktet e bëra me shqiptarët mbajnë datën 14 dhjetor 1517.

Hora e grekëve u themelua më 1488, në atë kohë morri aprovimin sovran të pakteve të bëra më 13 janar 1487 midis shumë familjeve shqiptare dhe Kardinalit Borxha që ishte Kryepeshkopi i Monreales, pakte me të cilat ky njeri i lejone këto familje të banonin dhe të kultivonin në dy feudet e Merko dhe Aydingli që i përkisnin këtij Peshkopati. Më përpara ishin vendosur në këmbët e malit Pizzuta të organizuar në kampe në mënyrë ushtarake. Ndërruan vënd mbas një viti dhe zbritën në fushën që ndodhej aty afër, sepse ajri i ashpër i malit ishte i dëmshëm për ta.

Pamje nga Hora e Shqiptarëve

Pamje nga Hora e Shqiptarëve

Palazzo Adriano na shfaqet në vitin 1482. Këtë e vërtetojnë paktet që u bënë nga Gjergj Mirspi, i ngarkuar nga ana e trembëdhjetë familjeve shqiptare, dhe Xhovani Vilaraut zot i feudit që i lejoi këtyre familjeve që të banonin dhe të kultivonin. Më 1507 ky feud i kaloi Kardinal Galkoti-it, dhe ky me pakte të reja konfermoi plotësisht të parat.

Mezoiuso u vendos në qarkun me këtë emër në vitin 1501. Themeluesit e tij kishin bredhur për disa feude përpara se të nguleshin në këtë feud që i përkiste Manastirit Benedetin të S. Giovanni degli Eremiti. Imzot Alfonso d’Aragona që ishte Primari i atij Manastiri, kishte i lejuar shqipëtarët që të banonin që më 1490 por nuk i lejoi atyre privilegje dhe i zgjeroi paktet me ta vetëm më 1501.

Manastiri Benedetin i S. Giovanni degli Eremiti

Manastiri Benedetin i S. Giovanni degli Eremiti

Këto koloni që u vendosën në Siçili tërhiqnin vëmëndjen e përgjithëshme për zgjuarësinë e banorëve dhe për sjelljen e mirë të tyre, rriteshin çdo ditë falë fluksit të banorëve vëndas të besimit katolik. Duke qenë se ishin shqiptarët ata që themeluan këto koloni, besonin që kishin përparësinë si morale, civile ashtu edhe kishtare në këto koloni. Në fakt vetëm atyre i lejohej që të kishin pozita publike dhe e konsideronin këtë gjë si të drejtën e tyre absolute. Por ky privilegj me kalimin e kohës nuk konsiderohej më gati në asnjë nga këto koloni; mbeti në fuqi vetëm në Horën e Grekëve deri më 1819, vit në të cilin me ligje e reja u sheshua çdo pabarazi mes qytetarëve. Shqipëtarët mbajtën parësinë morale dhe kishtare meqënëse Italianët i konsideronin si të huaj në këto komunitete, në të cilat mbizotëronte gjuha dhe zakonet epiriote, dhe Kishat janë me ritin grek: përveç Mozoiuso-s, ku egzistojnë dy kulte, njëri grek e tjetri latin, falë një pakti që bënë këto dy Kisha në këtë vend më 1681.

Nuk do të ndalem tek ndarjet dhe mosmarrëveshjet e vazhdueshme që për shumë kohë trazuan dy Kishat në kolonitë shqiptare të Siçilisë.

Gjatë shekujve të parë të vendosjes së tyre, pa një stabilitet politik dhe pa një peshkop të ritit ortodoks, të rinjtë grekë[3] që dëshironin ti përkushtoheshin fesë pra dëshironin të bëheshin prifta, ishin të detyruar të studionin në seminaret katolikë, dhe për tu urdhëruar prifta duhet që të shkonin në Romë. Nga kjo vinin dy të këqija: së pari nuk mund të thellonin njohuritë liturgjike të Kishës së tyre; së dyti udhëtimet e tyre në kryeqytetin e botës ortodokse ishin shumë të shtrenjtë. Kështu që duke u zvogëluar numri i priftërve dhe duke u bërë më injorant kleri ortodoks, ishte në rrezik zhdukjeje jo vetëm i gjithë riti por edhe gjuha dhe zakonet e të parëve.

Kjo gjëndje e vështirë zgjati deri në mesin e shekullit të shkuar[4]. Jetonte në atë kohë At Gjergj Guzeta, i Kongregacionit të Etërve Olivetanë të Palermos, dhe ky njeri i shtyrë nga ai zelli i Fuqishëm që karakterizon burrat e mëdhej, që sigurojnë një të mirë të përgjithëshme një kombi, me mënyrat e tij të vendosura dhe me vullnetin e tij të hekurt, mori nga Karlo III, që në atë kohë ishte mbret i Dy Siçilive, lejen për të themeluar një kolegj Grek në Palermo, dhe gjithashtu një shumë të madhe parash, që iu morën mensave të peshkopëve katolikë nën juridiksonin e të cilave ishin këto koloni.

At Gjergji Guzeta (1682 – 1756), themeluesi i kolegjit greko – shqiptar të Palermos

At Gjergji Guzeta (1682 – 1756), themeluesi i kolegjit greko – shqiptar të Palermos

Mbasi u arrit ky objektiv i parë, u përpoq që të arrihej një i dytë, domethënë emërimi i një peshkopi grek për urdhërimet e shenjta. Pak vjet më pas mbasi arritën objektivin e parë, kolonitë shqiptare të bashkuara, iu drejtuan mbretit për të arritur edhe objektivin e dytë. Por u detyruan të duronin protestat e peshkopëve latinë të cilët mendonin që ky ndryshim ofendonte të drejtat antike të juridiksionit të tyre. Pët të zgjidhur mosmarrveshjen që ishte ngritur midis fraksioneve kundërshtare, mbreti Ferdinant IV i besoi për shqyrtim këtë çështje Këshillit Suprem të Siçilisë, dhe është i famshëm fjalimi i të shquarit Saverio Matei që shkroi në mbrojtje të shqiptarëve. Çështja u zgjidh në favor të këtyre të fundit në muajt e fundit të vitit 1872. Arritën që të merrinin miratimin e Romës dhe me dekret të datës 10 Janar 1784 u emërua peshkopi i parë greko – italian në Palermo: imzot Gjergj Stasi, që kishte qënë rektor në kolegjin Greko – Shqiptar. Dekreti mbretëror u aprovua me vulën e Papës Pio VI të datës 6 Shkurt të po atij viti, dhe u vendos si përfaqësuese Abacia e Shën Mërisë së Eulës në dioqezën e Mesinës.

Mbas Stasi-t u emëruan edhe dy peshkopë të tjerë, dhe i katërti që, aktualisht[5] ka këtë rrol është Imzot Zef Krispi, njeri i ditur dhe me shumë kulturë që njeh mirë gjuhën greke, ekspert që njeh gjuhë të tjera orientale dhe njohës shumë i mirë i zakoneve të të parëve të tij. Është autor i shumë veprave, mbi të gjitha Corso di Grammatica Greca, që është aq shumë i konsideruar nga gazetat më të famshme të Italisë dhe të Francës dhe Le Sage, që e vendosin atë në Atlas si një nga librat që meritojnë të jenë të konsultuar në aspektin e gjuhës greke.

Imzot Zef Krispi (1781-1859)

Imzot Zef Krispi (1781-1859)

Kolonive sikulo – shqiptare nuk i mungojnë të tjerë njerëz të shquar, dhe është një nder për këtë vepër që ti kujtoj me respekt. At Gjergj Guzeta, që siç e pamë ishte themeluesi i kolegjit Grek të Palermos, mund të meritojë denjësisht nga atdheu i tij titullin e babait të kombit: në fakt ai shkriu jetën e tij për të mirën e bashkatdhetarëve të tij. Përveç kolegjit themeloi në Horën e Shqiptarëve Kongregacionin e Oratorit S. Filippo Neri, dhe një kolegj vajzash shqiptare ku mund të edukoheshin me ritin ortodoks dhe i quajti murgeshat Basiliane. U shquajt për diturinë e tij dhe njohjen e gjuhës greke dhe latine, dhe egzistojnë të shkruara per tij një Kronikë e Maqedonis që arrin deri në kohën e Skëndërbeut, një Etimologjik, një Apologji të murgeshave të Shpëtimtarit në Palermo dhe shumë diploma etj.

At Antonio Brankato, bashkpuntor kryesor i At Gjergji Guzeta-s në themelimin e kolegjit të Marisë me rit grek në Horë, edhe ai ishte një njeri që meriton të kujtohet nga pasardhësit. Është autor i shumë poezive fetare shqiptare.

Paolo M. Parrino lindi në Palazzo Adriano dhe vdiq në Palermo më 1765. Shkroi shumë vepra të redaktuara në latinisht, midis të tjerave një Disertacion mbi ritin grek në Sicili, dhe një Histori të Sakramenteve. Këto dorëshkrime ruhen në bibliotekën e kolegjit Grek.

Jeronim Matranka, klerik i shekullit XVII, njihet i denjë për nderim nga shkrimatarë të ndryshëm dhe përmëndet në fjalor biografik të ndryshëm ndërmjet njërëzve të shquar. Ishte qytetar i Horës dhe vdiq më 1679.

Imzot Katalano, murg Basilian dhe më pas kryepeshkop i Durrësit, lindi në Mezoiuso. Në bibliotekën e kolegjit Grek ruhet një fjalor i tiji Italisht – Shqip dhe Shqip - Italisht në formë dorëshkrimi dhe i bashkëngjitur një ese gramatikore dhe këngë të ndryshme shqiptare.

Nikollë Keta, i lindur në Konteshë, ishte rektor i seminarit Grek, dhe komuniteti shqiptar e kujton si një nga bamirësit më të mëdhej të tij. La disa vepra të shkruara mbi gjuhën shqipe, një fjalor dhe një Etimologjik të së njëjtës gjuhë, si dhe një Histori e Epirit dhe e Maqedonisë.

Nikollë Keta (1741 – 1803), rektor i kolegjit greko – shqiptar të Palermos

Nikollë Keta (1741 – 1803), rektor i kolegjit greko – shqiptar të Palermos

Konti Alesandro Manxoni ishte një nga figurat që kontribuoi shumë në mbarvajtjen e bizneseve në ishullin (e Siçilisë), në atë epokë të vështirë dhe në parlamentin Siçilian më 1812 ishte një nga personalitetet më të shquara.

Duhet që të përmndim këtu edhe Kostantino M. Kostantini, i cili shkroi Commentari ai decreti ed atti ministeriali, poezinë Colombaio dhe një poemë tjetër të papërfunduar mbi Vespri Siciliani; At Serafin Guzeta, Karmelitan i zbathur, dhe ata që bënë misionin në Himarë në Shqipëri, Imzot Skirò, Kryepeshkopi i Durrësit dhe Imzot Bazil Matranka.


[1] Në gjuhën arbëreshe vendi quhet Kundisë . Ndërsa në italisht Contessa Entellina. (shën i red).

[2] Në të vërtetë ky vend është i njohur si Hora e Shqiptarëve. Autori e quan gabimisht këtë lokalitet me emrin Hora e grekëve, sepse riti ortodoks që është i përhapur në këtë lokalitet përdor në liturgjinë fetare gjuhën greke. Në fillii e viteve ’60 të shekullit të XX, ky vend quhet zyrtarisht si Hora e Shqiptarëve. (shën i red.).

[3] Sa herë që autori i drejtohet popullësisë së vendit duke i quajtur Grekë, në realitet kriteri i vetëm që përdor është ai i ritit ortodoks. Është e qartë pra, që Grekët në realitet janë Shqiptarët që u trasferuan në këto vise. (shën.i red.).

[4] Me “shekullin e shkuar” autori bën fjalë për shekullin e XVIII (shën. i red).

[5] Me “aktualisht” autori e ka fjalëm për vitin 1847, vit në të cilin është publikuar libri nga i cili është marrë kjo pjesë. (shën i red.).

Marrë lirisht nga libri Su gli Albanesi ricerche e pensieri i autorit Vincenzo Dorsa

Përktheu nga italishtja Elton Varfi

Link versioni italisht: Albanesi in Sicilia. Loro vicende. Collegio Greco di Palermo. Uomini illustri.

domenica 10 aprile 2011

Shqipja: nëna e gjuhës greke

Idioma e parë gjuhësore helene

Shqipja na ndihmon të shohim zhvillimin e gjuhës greke, që nga vitet e lashta pellazge, deri në periudhën aleksandrine dhe më vonë. Gjuhët e lashta dhe veçanërisht ajo pellazge, ishin shumë tingëlluese, d.m.th. përbëheshin nga bashkëtingëllore dhe në shumë fjalë theksoheshin bashkëtingëlloret. Po paraqes këtu shembullin e kërkuesve, që fjalën MPS të mbishkrimit të njohur të Karatepës në Azinë e Vogël, e njohën si MOPSOS. Këtu theksohet M-ja. Në epokën Homerike nuk kemi më theksim të bashkëtingëlloreve, por ndërhyrje zanoresh midis tyre, të cilat marrin edhe theksin e bashkëtingëlloreve. Por gjuha shqipe ruan edhe shqiptimin me theksim të bashkëtingëlloreve! Kështu, nga shqipja mund të shohim zhvillimin e gjuhës greke. P.sh: fjala greke palami është zhvillim i fjalës shqipe – pellazge plem.

Arvanitasit dhe prejardhja e grekeve

Kopertina e librit

Këtu theksohet bashkëtingëllorja L. Me futjen e zanores A, zanorja pasardhëse e L-së merr theksin dhe bëhet palàma dhe në vazhdim në dialektin e Atikës kemi palami. Pra në shqip pëllëmba.

E njëjta gjë ndodh me fjalën karma apo kirma. Përkatësja në shqip është kërmë.

Gjithashtu fjala motër përputhet me fjalën mitir – mitros , që do të thotë nënë në greqishten e lashtë. Kjo shpjegohet me faktin që në shoqëritë primitive, motra e madhe kishte vendin e nënës në familje, siç thotë Stamatakos në fjalorin e tij.

Fjala ujk , që shqiptohet edhe ulk u bë ulikos dhe së fundi likos.

Fjala etero = një tjetër në arbërisht thuhet njëtër. Këtu shohim se NTR do të thotë një tjetër dhe jo thjesht tjetër. Midis bashkëtingëlloreve kanë hyrë zanoret dhe kemi enetero (en Etero) = një tjetër pra në arbërisht njëtër.

Në shqip kemi edhe fjalën sipër = lart. Fjala përkatëse greke është iper dhe ajo përkatëse latine super. Shqipja është më pranë greqishtes dhe është hallkë lidhëse me latinishten dhe ndoshta na ndihmon të kuptojmë se si shqiptohej kjo F e “famshme” në greqishten e lashtë, që i bëri grekët ta heqin fare atë. Por shqipja pikërisht sepse ruan gjuhën pellazge, ruan gjithashtu shqiptimin e saj.

Meqënëse kryesisht F-ja shqiptohet herë si F dhe herë si V, fjalët Vras= Vreo, Vesh = Vesho, Var = Vero janë të kuptueshme. Por F-ja e lashtë greke me sa duket nuk kishte vetëm këtë shqiptim por edhe një tjetër, që u caktua më vonë nga romakët dhe si përfundim mbeti si F dhe jo më si V, p.sh fjala e lashtë greke fikos përfundimisht në greqisht u bë sikos, në latinisht mbeti si ficus dhe në shqip kemi fik, në të shquarën fiku.

Parashtesa greke para ka ardhur nga shqiptaro – pellazgjishtja per me futjen e zanores A.

Le të ulen pra, mbi shqipen “e varfër”, “barbare” dhe të mospërfillur, dhe le të pushojnë së përbuzuri gjuhën e tyre arbëreshët dhe shqiptarët që ndodhen jashtë Shqipërie, të cilët kujdesen që fëmijët e tyre të mos mësojnë gjuhën shqipe.

Le të kenë pra parasysh që shqipja barbare është nëna e gjuhës së Homerit, Eskilit, Heredotit, Tuqididit, si dhe e gjuhës së famshme të njohur si dialekt i Atikës!

Domethënë është gjuha e lashtë e paraardhësva tanë më të lashtë pellazgë, që disa shkencëtarë duan ta zhdukin si me magji apo të vërtetojnë që kombi i helenëve nuk vjen nga malet e Shqipërisë, por nga Egjipti e Mesopotamia. Dhe mendoj se teori të tilla do të ishin forcuar sikur të mos egzistonte deri më sot kjo “shqipja barbare”. E pra krahas babait të madh DIAU (Dielli) dhe nënës së madhe DHEA (Dheu, Toka), prindërit e JETËS, këtej e tutje do të adhuroj edhe gjuhën shqipe, që më mësuan prindërit dhe gjyshërit e mi.

Ka rëndësi (për helenët) të dish se ç’duhet të besosh dhe përse ta besosh. Ky është dallimi ynë nga popujt orientalë!

Marrë nga libri Arvanirasit dhe prejardhja e grekëve i autorit Aristidh Kola

Link versioni italisht: L’albanese: madre della lingua greca

domenica 3 aprile 2011

Kodiku i Purpurt i Beratit

Arkivi i Shtetit i Shqipërisë është i vetmi në të gjithë Europën që ka një kodik kaq të lashtë. Për këtë nuk mund të mburret asnjë arkiv i shteteve të tjera europiane. Është e vërtetë se Biblioteka Nacionale e Parisit ka një numur të madh papirusesh egjiptianë shumë të lashtë, por asnjë bibliotekë e Europës nuk disponon një libër në formën e një kodiku që sipas shumë specialistëve datohet si i fillimit të shekullit të VI pas Krishtit! Çfarë është ky kodik?

Codex Purpureus Beratinus

Codex Purpureus Beratinus

Kodiku i Purpurt i Beratit përbëhet nga 100 fletë në pergamenë të shkruar në dy kolona me përmasa 31,4 x 26,8 cm. Dorëshkrimi është i shkruar në greqishten bizantine dhe përmban dy nga ungjijtë më të vjetër : Ungjillin e Shën Mateut dhe Ungjillin e Shën Markut. Shkrimi i Kodikut ka një karakter të pazakontë: teksti dhe gërmat janë jo me bojë shkrimi por me gërma të derdhura me dy metale fisnikë, me flori dhe me argjend. Alternimi i floririt dhe argjendit është bërë me qëllim të caktuar estetik, si dhe ka të bëjë me strukturën organizative të tekstit në fjalë dhe paraqet një origjinalitet të pashembullt në këtë lloj kodikësh. Përveç llojit të çmuar të metaleve fisnikë të tekstit, duhet thënë që kjo mënyrë ka qenë një zgjuarsi e skajshme pikërisht për të mbijetuar teksti. Nëse teksti do të ishte shkruar me bojë me ngjyra, ose me mellan të zi, pra me një element kimik të të shkruarit, të ujshëm, atëherë mundësia e mbijetesës së tekstit do të ishte e kërcënuar dhe më e paktë. Për fat të mirë teksti është shkruar me gërma metalike dhe kjo ka qenë mundësia absolute dhe më e sigurtë që teksti të ruhet i plotë dhe i pacënuar. Gërmat në argjend dhe në flori janë bërë sipas një teknike të shkëlqyer dhe me një kaligrafi të mrekullueshme. Vetëkuptohet që këto gërma janë bërë paraprakisht në sipërfaqe druri, mbase dhe në sipërfaqe bronzi të gdhendura sipas alfabetit dhe pastaj është realizuar derdhja në flori dhe argjend me saktësi të habitëshme. Ajo që të habit është se përveç gërmave të thjeshta të alfabetit bizantin ka edhe monograme ose signatura, gërma të përbëra, dy ose tri gërma, të cilat sipas kodit alfabetik të Antikitetit të Vonë janë të kuptueshme dhe të shpjegueshme dhe nuk janë përdorur më vonë. Ka qenë kjo veçanti, ky origjinalitet që ka bërë të mundur që studiuesi i shkëlqyer epigrafist i teksteve të greqishtes bizantine Batiffoli, që ka ardhur në Berat dhe e ka parë këtë kodik me sytë e tij, ta klasifikoj Kodikun si të shekullit të VI pas Krishtit. Është me interes të them nga ana ime se shkrimi i greqishtes bizantine në këtë kodik ka disa ngjashmëri me disa shkrime arkeologjike në mozaikët e fillimit të shekullit të VI pas Krishtit në monumente të tjera të Shqipërisë. Po sjell si shëmbull këtu një mbishkrim të mozaikut të Kapelës së amfiteatrit të Durrësit dhe sidomos mbishkrimin e një psallmi biblik të gjetur në bazilikën e gadishullit të Linit në Ohër, mbishkrime këto që i takojnë shekullit të VI pas Krishtit.

Mozaiku i kapelës së  amfiteatrit të Durrësit

Mozaiku i kapelës së amfiteatrit të Durrësit

Kodiku në fjalë ka edhe një motiv dekorativ, që është figura e një zemre me ngjyrë të kuqe. Ky simbol heraldik i zemrës së purpurt ka qenë edhe thelbi i emërtimit të kodikut si Kodiku i Purpurt. Deri më sot nuk është shpjeguar plotësisht semiotika e krishterë dhe kuptimi i zemrës së kuqe. Është shprehur mendimi, se kjo zemër ka të bëjë me zemrën e Krishtit, por është më tepër një shpjegim metaforik dhe letrar dhe jo shpjegim teologjik. Zemra e kuqe nuk është simbol tipik i Krishtit, sepse dihet që simbolet e tij kryesore në atë kohë janë dy: është figura e peshkut dhe simboli i vetë kryqit. Nëse mendojmë se simboli i zemrës ka një karakter profan dhe laik, atëherë shmangemi nga kuptimi teologjik. Ka shumë mundësi që simboli i zemrës së kuqe të lidhet me një stemë heraldike të poseduesve që mund të kenë qenë princër, ose të ndonjë simbolike tjetër, tepër të njohur por tashmë të harruar të shekullit të VI. Ky Kodik është shpënë për restaurim tek specialistë të nivelit shumë të lartë në Kinë në vitet ’70. Gjendja e Kodikut qe e mjerueshme. Specialistët kinezë, jo vetëm kanë dhënë të dhëna analizuese për gërmat prej floriri dhe argjendi, por kanë vërtetuar se pergameni është përgatitur me lëkurë kecash, dhe për bërjen e kodikut janë therur afro 100 keca, duke zgjedhur pjesën më të mirë të lëkurës së tyre. Deri më sot i jemi përmbajtur pikëpamjes së studiuesit autoritar Batiffoli, i cili i nisur më tepër nga kaligrafia e daton të shekullit të VI. Le të më lejohet që gjithsesi të bëj një hamëndje. Çështja e kronologjisë nuk mund të jetë asnjëherë kaq absolute dhe kaq e thjeshtë. Ka element të sotëm të analizave spektrale dhe sidomos të analizës bazë dhe të patjetërsueshme të lëkurës së pergamenit me të cilat mund të përcaktohet një kronologji ndoshta më e hershme, aq më tepër që ndonjë tjetër studiues me të cilin unë bashkohem thotë se Kodiku mund t’i takojë shekullit të V mbas Krishtit dhe sipas mendimit tim, ky Kodik është bërë në periudhën midis perandorit Anastas I i Bizantit ( i cili ka lindur në Durrës) dhe perandorit Justinian (që dihet që është me origjinë ilire). Kjo tezë bëhet më e besueshme kur mbështetesh në argumentin që teksti i Ungjillit të Shën Mateut dhe Shën Markut është bërë në një periudhë kur nuk qe arritur kanunizimi përfundimtar, pra ka shmangie në fraza dhe në ide të tekstit të dy Ungjijve kaq të vjetër. Këto shmangje janë pasuri kolosale e shkencës. Ato kanë një rëndësi jo vetëm filologjike por sidomos teologjike. Dihet se midis shekujve V dhe VI ungjijtë nuk janë akoma kanonikë kanë ndikime nga ungjijtë apokrifë. Është thënë që në Kodikun e Beratit ka ndikime nga ungjijtë e lashtë siriakë, por edhe ndonjë ndikim të ungjijve perendimorë. Për herë të parë unë po bëj publik mendimin tim.

Mendimi im modest është që Kodiku i Beratit është mjë nga tre Kodikët më të vjetër të këtij lloji në botë, është Kodiku i shekullit të IV që ndodhet në Sinai dhe një kodik i shekullit të VI në Arkivin e Moskës. Kodiku i Sinait është në gjuhën aramaike. Rëndësi të posaçme ka teksti i Ungjillit të Shën Markut, sepse sipas studiuesve biblistë gjermanë, Shën Marku është mbështetur në një dokument më të vjetër që quhet konvencionalisht Dokumenti Q, ose i quajtur Ur Markus.

Peshkopi i Beratit në shekullin XIX Anthini ka qenë nga njerëzit më të ditur të kohës së tij. Anthini na ka lënë një libër të mrekullueshëm me të dhëna të pazëvëndësueshme jo vetëm për kulturën mesjetare kishtare të Shqipërisë, por edhe për kulturën antike, madje ka botuar edhe mbishkrime poetike të monumenteve mbivarrose të periudhës helenistike dhe romanke. Peshkopi Anthini e ka parë Kodikun e Purpurt të Beratit dhe është i pari njeri i cili, me bindje të plotë thotë se Kodiku i Beratit është vepër e Gjon Gojëartit. Gjon Gojëarti është një nga figurat me gjeniale të kishës së krishterë të të gjitjë kohërave. Ka një legjendë që Gjon Gojëarti ka jetuar disa kohë në viset e Shqipërisë së Jugut. Madje një studiues i madh i dokumenteve kishtare Zef Valentini, në një botim enciklopedik shumëvëllimësh të titulluar “Kronologjia Shqiptare” është botuar një dokument se, Gjon Gojëarti në rininë e tij ka jetuar në një nga manastiret e Epirit të Veriut, pra në tokat shqiptare. Gjon Gojëarti ka vdekur në vitin 407 pra në shekullin e V pas Krishtit. Pra nëse legjenda apo informazioni i dhënë nga peshkopi Anthim është i saktë, atëherë unë kam të drejtë në tezën time kur them se Kodiku i Purpurt i Beratit i takon shekullit të V dhe jo shekullit të VI. Nuk mund të jenë të rastësishëme legjendat për Gjon Gojëartin në Shqipëri, dhe deri më sot nuk egziston asnjë analizë shkencore e mirëfilltë deri në fund për të përcaktuar nëse Kodiku i Purpurt i takon shekullit të V apo të VI. Në komisionin shtetëror të vlerësimit të kodikut u tha se më 1964, Biblioteka e Vjenës propozoi një çmim prej 1 milion dollarësh. Kodiku sot vlen 10 miljon dollarë. Ky është një çmim konvencional, sepse vlera e Kodikut nuk mund të çmohet vërtet asnjëherë. Ky Kodik është kërkuar gjatë luftës së Parë Botërore për tu rrëmbyer nga austriakët, por nuk kanë mundur. Më 1944 nazistët gjermanë i vunë përpara togës së pushkatimit priftërinjë e katedrales së Shën Marisë në Berat për të treguar jo vetëm këtë Kodik, por edhe të tjerë të vjetër, por priftërinjtë shqipëtarë u treguan patriotë të mrekullueshëm dhe nuk u dorëzuan. Ruajtja e Kodikut të Beratit, por edhe e kodikëve të tjerë ka patur një organizim të habitshëm. Pranë kishave të Beratit ka qenë një grup i organizuar tepër ngushtë, një këshill segret i tipit okult. Ky këshill përbëhej vetëm prej tre vetësh, dhe i besonte vetëm njerit person segretin e fshehjes së kodikut. Pjestarët e tjerë të këshillit dinin vetëm emrin e njeriut që kishte përgjegjësi përpara Zotit dhe kombit për fshehjen segrete të kodikëve. Përpara vdekjes ky njeri bënte të njohur në këshillin segret, faktin që tashmë poseduesi i segretit duhej të bëhej një tjetër njeri, i cili kishte jetë më të gjatë. Mbas kësaj caktohej njeriu tjetër, i cili e dinte vetëm ai vendin segret të fshehjes së kodikëve dhe askush tjetër. Njeriu i fundit nga ky këshill segret qe beratasi i mrekullueshëm, i krishteri Nasi Papapavli. Është e habitëshme se si Nasi Papapavli kur ndjehu që po i vinte vdekja, befas bëri një shmangie nga rregulli shekullor i këshillit segret. Është e vërtetë që akademiku Aleks Buda, shkoi shumë herë tek shtëpia e Nasi Papapavlit dhe ju lut atij në emër të shtetit dhe kombit shqiptar që ta tregonte segretin. Për shumë vjet Nasi nuk u lëkund dhe nuk e tregoi. Në vitet ’60 pas një sëmundje të beftë egzistonin vetëm dy mundësi, me vdekjen e Nasit të varrosej përfundimisht edhe vendi segret i fshehjes së Kodikëve dhe as historia shqiptare dhe as ajo botërore mo sta gjenin më thesarin e kodikut, por edhe mundësia e dytë, meqënëse kishin vdekur të tërë anëtarët e tjerë të këshillit segret, Nasi Papapavli për hir të interesave shumë të larta dhe të patjetërsueshme të kombit dhe shtetit shqiptar ta “tradhëtonte” segretin e madh. Ai tregoi vendin ku ishin fshehur kodikët. Ky vend egziston akoma edhe sot ashtu i hapur pranë absidës së katedrales së Shën Marisë në Berat. Kodikët u nxorrën nga vendi ku ishin fshehur në një moment tepër tragjik. Nga lagështia ishin dëmtuar jashzakonisht dhe ishin gati të thërmoheshin në çast. Deri në vitin 1944 kodikët, duke përfshirë edhe Kodikun e shekullit të VI ishin në gjëndje relativisht të mirë. Madje me Kodikun e shekullit të VI bëheshin meshat solemne. Është një meritë e madhe e shtetit shqiptar që në mënyrë maksimale u kujdes për kodikët e rëndësishëm. Por ka në fakt që nuk e nderon shtetin totalitar: njeriu i thjeshtë, por atdhetari shumë i madh fetari Nasi Papapavli duhej nderuar deri në fund, madje ai meriton një monument për aktin e tij madhështor. Kështu shteti shqiptar siguroi thesare të pallogaritëshme që tejkalojnë kufijtë e Shqipërisë dhe janë subjekte eskluzive të kulturës së njerëzimit. Kodiku i Beratit i shekullit të VI i bën një nder të posaçëm Shqipërisë dhe u preftë në paqe shpirti i atyre priftërinjëve të Beratit që shpëtuan nga vdekja një mrekulli të rrallë. Amin!

Marrë lirisht nga libri Mes Laokontit dhe Krishtit, i autorit Moikom Zeqo

Link versioni italisht: Il Codice Purpureo di Berat