Nga Roberto Morozzo della Rocca

Universiteti i Romës

-Pjesa e parë-

Opinioni publik italian dhe europian ka për Shqipërinë, mbas ngjarjeve politike dhe sociale të fundit[1], imazhin e një vendi në mëshirë të fatit, të privuar nga identiteti i tij mbas gjysëm shekulli nën një regjim komunist ballkaniko – stalinist. Është imazhi i një vendi të shëmtuar dhe të shkatërruar, nga i cili banorët dëshirojnë të largohen e të shpëtojnë, ashtu siç braktiset një anije gjatë mbytjes së saj.

Televisioni dhe shtypi – gjatë rënies së “zotave” më 1989 dhe të klimës politike që pasoi këtë rënie – kanë tendencën që të kryejnë një reset të realitetit shqiptar, sikur periudha e komunizmit, në rastin specifik të Shqipërisë, të kishte anulluar gati gjithë historinë dhe kulturën e popullit shqiptar. Bismark, në periudhën e imperializmit, thoshte që shqipëria nuk ishte asgjë më shumë se “një abstraksion gjeografik” e destinuar të zhduket. Publiçistika e sotme natyrisht nuk citon kancelierin prusian, por në fund të fundit nuk sygjeron për Shqipërinë një fat më të mirë.

Janë thjeshtëzime të shtypit? Janë përshkrime të ekzagjeruara për t’ja dhënë lexuesve që pak gjëra dinë mbi Shqipërinë? Personalisht jam i bindur që, edhe pse Shqipëria tani për tani ka një të ardhme jo shumë të qartë, nuk është aspak një vend pa identitet, i përjashtuar nga historia e përbashkët europiane, ku banojnë njerëz që kanë sjellje dhe mendime primitive. Egzistojnë sot disa interpretime mbi identitetin dhe mbi të sotmen shqiptare, që hedhin poshtë imazhin e një tabula rasa.

Realistët e ekonomisë – ju përmend shkurtimisht – na kujtojnë që Shqipëria është vendi i dytë në botë për prodhimin e kromit, që eksporton energji vendeve fqinj, dhe ka shumë burime (risorsa) të llojeve të ndryshme, që i japin mundësinë të jetë e avantazhuar për rritjen ekonomike. Është një mënyrë kjo për të legjitimuar kapacitetin autonom të shtetit shqiptar, dhe për ti dhënë besim popullit shqiptar.

Kundërshtimi më i madh që i bëhet imazhit të një Shqipërie që ka humbur identitetin dhe të ardhmen, vjen nga një vizion tradicional, në kufirin e retorikës, që kultura europiane ka për Shqipërinë.

Mbi shqiptarët dhe vendin e tyre, kultura europiane la prodhuar midis ‘800 dhe ‘900, stereotipë të çdo lloji: një vend i egër dhe i pastër: një popull i paepur dhe gjakësor: një fe dhe një qytetërim në mes Lindjes dhe Perëndimit, midis pazareve dhe monumenteve klasik: nën ndikinim e një mijë kulturave të asimiluara keq, por në të vërtetë me kulturën e vetme të natyrës dhe të forcës: pra një vend ku mbetesh i shokuar. Dhe shumë intelektualë kanë parë vendin e vogël të Adriatikur, si një prizëm nëpërmjet të cilit kanë projektuar ëndrrat dhe ankthet e tyre. Vetëm në shekullin e XX, Shqipëria është cilësuar si toka e njeriut të lirë ose “njeriut të egër dhe fisnik”; e njeriut të ri dhe e njeriut primitiv; e lirisë dhe e tiranisë; e komunizmit të realizuar si kurrë gjetiu, ose i kampeve të riedukimit poshtë shtëpisë; parajsë e virgjër ose një mbetje e një bote të vjetër.

Shqipëria si mit vazhdon pavarësisht nga transformimet historike, dhe shëmbjen të një stereotipi pas tjetrit. Në Shqipëri nuk egziston më komunizmi, por mund të gjejmë thënie tradizionale; shqipëtari krenar dhe luftëtar; shqipëtari njeri i ndershëm me instikte të lashta dhe të pastra. Shikoni çfarë shkruante në qershor të vitit 1990 revista prestigjoze Revue des deux Mondes nën titullin Shqiprija pays des aigles. Premisa është pasojë e një lloj tipi kulture franceze: geografia shpjegon shumë, ose gjithçka të historisë. Por, pastaj kultura franceze, përveç fjalorit të zakonshëm leksikor, nuk na sygjeron interpretime veçanërisht të reja:

Le milieu gèographique suffirait presque à espliquer l’historie de l’Albanie…entre de rudes montagne… Ce paysage d’escarpements a façonnè l’âme sans partage de l’Albanais… A nature ingrate, homme extrême, tannè au.dehors et au-dedans, indiffèrent à la mort, nourri de la duvet du climat et de la peine à survivre. Code de l’honneur trace à la courbe meme des reliefs. Nulle equivoque. La vèritè est dans la mort, plus qu’aucun ne le sera jamais”[2]

Konkluzionet, edhe pse janë në të njëjtin stil letrar, duhet të kenë parasysh krizën e tanishme:

“Du sang dans les veines duquel coulait hier la con science natiolaled’un peuple irrèductible et fier qui dècouvre aujourd’hui, dans sa caricature stalinienne, la fragilitè de sa mèmoire…”[3]

Më afër së vërtetës nga rapsodët e vjetër dhe të rinj të mitit shqiptar kanë qenë – sipas mendimit tim – ata që, pa i mohuar Shqipërisë një identitet dhe një origjinalitet, kanë hedhur sytë në historinë e trazuar të popullit shqiptar, duke përshkruar Shqipërinë si një vend të ekspozuar ndaj pushtuesve, gjithmonë i detyruar të mbrohet, i prapambetur sepse gjithmonë i papërfillur nga qytetërimi prendimor dhe nga ai lindor. Fjalët e Karlo Levi-t – “asnjë nuk ka shkelur këtë tokë, përveçëse pushtuesit, armikut ose vizituesit të mëshirueshëm[4] janë suggestive dhe shumë aktuale për Shqipërinë.

Por nuk dua të vazhdoj të diskutoj këtë tendencë të kulturës sonë, që – për ta thënë shkurt – do që ti japi një identitet Shqipërisë ndërmjet miteve tradicional dhe stereotipeve të krenarisë dhe të heroizmit të shqiptarëve. Do të dëshiroja, si historian që jam, ti jap një përgjigje çështjes mbi identitetin shqiptar, duke dhënë disa elementë mbi nacionalizmin e mbi fetë midis ’800 dhe ‘900. Për të qenë skematik, besoj që identiteti i Shqipërisë bashkohore, ka marrë shumë, veçanërisht nën një profil ideologjik, nga korrentet e mendimit nacionalist. Nacionalizmi ka qenë për shqiptarët një tip feje, edhe pse nuk i ka zëvëndësuar asnjherë fetë dhe me to ka pasur një raport kompleks.

Poeti shqiptar i ‘800, Vaso Pasha, eksponent romantik i Rilindjes kombëtare, ka këmbëngulur veçanërisht mbi “fenë” e vërtetë të shqiptarëve, që është të jesh pikërisht shqiptar. “Feja e shqiptarit është shqiptaria” është shprehja e Vaso Pashës, që shqiptarët e njohin fare mirë. Enver Hoxhës i pëlqente të përsëriste këtë fjalë. Ramiz Alia i theksoi me forcë në momentin kur legjitimoi përsëri fetë në Shqipëri. Edhe mbreti Zog dhe kundërshtari i tij i madh, peshkopi ortodoks Fan Noli, i adhuronin vargjet e Vaso Pashës.

Në fakt, nëse në Shqipëri, nga Rilindja shqiptare e tetëqindës e deri më sot, do të kërkojmë motivin dominues të jetës publike dhe të kulturës, ky motiv është ndjenja e kombit.

Vlera më e lartë për shqiptarin, është kombi.

Hyjnizimi i identitetit shqiptar i bërë nga Vaso Pasha mbështetet mbi elemetë, që mund ti quajmë të thjeshtë: theksimi i bukurisë së tokës shqiptare që është “e jona” dhe e asnjë tjetri, është feja e gjakut e derdhur nga të parët për të mbrojtur atdheun. Por Federico Chabod nga ana e tij na mëson, e çfarë force evokative kanë fjalët “tokë” dhe “gjak” për të formuar idenë e kombit por mbi të gjitha nacionalizmin[5].

Të tjerë popuj europian kanë njohur fazën romantike të idesë së kombit, dhe nga kjo kanë kaluar në nacionalizëm dhe në skëterrën e dy luftrave botërore. Por duket që kanë qenë faza kalimtare të disa çështjeve kombëtare komplekse. Në Shqipëri historia është ndryshe. Epoka e Rilindjes shqipëtare duket sikur është e përjetëshme. Identiteti kombëtar shqiptar ka qënë i ndrydhur për një kohë të gjatë, pastaj ka pasur aq shumë vështirësi deri në ditët tona për tu shfaqur, saqë atmosfera e këtij patriotizmi sanguin, është zgjatur pafundësisht.

Duhet që të imagjinojmë se çfarë quantitè nègligeable përfaqësonte një popullatë shqiptare me qindra mijëra banorë në ‘800, ose pak më shumë se shtatëqind mijë në fundin e luftës së parë botërore, për orekset e popujve fqinj, të cilët edhe ata jetoni një klimë të zjarrtë nacionalizmi. Historia ka kenë e padrejtë me shqiptarët, të cilët arritën të fundit më 1912, të formonin një shtet të tyre të pamvarur, ndërmjaet popujve ballkanik që kishin dalë nga sundimi osman[6]. Represioni i gjatë, aspiratat kombëtare, sakrificat e bëra për të arritur pamvarësinë, dhe kur kjo u arrit, monitorazhi poshtërues i shtetit të porsalindur shqiptar, nga ana e fuqive të mbëdha, gjithë kjo pra prodhoi një nacionalizëm radikal.

Mund të thuhet që nuk ka shprehje të jetës publike dhe të kulturës, në Shqipërinë e ‘900 (para ardhjes së komunistëve në pushtet), e cila nuk lidhej ngushtë me vlerat e nacionalizmit dhe të epopesë letrare të Rilindjes patriotike mbas letargjisë së perandorisë osmane.

Mbas 1944, komunizmi ndryshoi orkestër por jo muzikë. Aktiviteti politik i komunizmit shqiptar, dëshmoi qartësisht rëndësinë e çështjes kombëtare të pamvarsisë dhe të sovranitetit. Le të sjellim nder mend ekonominë e mbyllur, politikën e jashtëme që për të qenë e sigurtë i zgjidhte partnerët në antipodet e planetit ( aleanca me Kinën), krenarinë e unikalitetit shqiptar, le të sjellim nder mend politikën e rritjes demografie të përshpejtuar ( çdo shqiptar më shumë, një pushkë më shumë për të mbrojtur atdheun).

Më 1976, Mehmet Shehu, shoku i Enver Hoxhës, që më vonë do të vdiste në mënyrë tragjike, thoshte;

“natyrisht, Shqipëria socialiste është e vogël, e rrethuar dhe i është vënë bllokadë, por ngrihet si një ishull prej graniti në oqeanin e madh imperialist dhe revizionist”.

Është krenaria e veçantisë shqiptare. Është i njëjti sens i kombit në luftë, i njëjti konceptim heroik i egzistencës kombëtare, që nga Shënderbeu arrin deri tek Vaso Pasha, dhe në fund në regjimin marksist të Hoxhës. Monumentet e Stalinit dhe baballarëve tjerëve të marksizmit, të ndërtuar në Shqipëri, nëse do të viheshin pranë monumentit të Skënderbeut, nuk arrinin as tek shala e kalit ku ndodhej heroi kombëtar[7].

Në shekullin e shkuar, nuk pati shtet pranë Shqipërisë që nuk ka shkelur ose kërcënuar pamvarësinë e saj, për të mos folur për çështjen akoma të hapur të Kosovës. Shqiptarët kanë luftuar me armë në dorë, kundër ushtarëve dhe milicjeve osmane, serbe dhe malazeze, jugoslave, greke, italiane, bullgare, gjermane. Mbas luftës së dytë botërore, Tito donte që ta bënte Shqipërinë një provincë jugoslave, më 1949-51, amerikanët dhe anglezët bënë prova në Shqipëri për të përmbysuar një regjim filo-sovietik të Europës Lindore, duke tentuar pa sukses të fillonin një luftë brenda vendit, në pritje të pushtimit nga jashtë[8].

Historia e përvuajtëshme e kombit shqiptar na shpjegon se përse në kulturën shqipëtare, edhe në periudhën socialiste, nacionalizmi nuk është konsideruar një term doemos negativ. Ajo që për një europian perendimor është një term që sjell nder mend epoka të zymta, luftëra, fanatizëm rracial, imperializëm, për një shqiptar është një vlerë pozitive. Çfarë mund të bënin shqiptarët në shekullin e kaluar, në qoftë se nuk mbronin atdheun e tyre nga agresionet e shumta dhe të përsëritura?

Absolutizmi i çështjes kombëtare, nuk çudit askënd, nga ana tjetër të reflektojmë mbi pëlqimin që merr nacionalizmi, në vende të tjera europiane ku problemet kombëtare nuk janë zgjidhur ende, nga republikat e ish Bashkimit Sovietik, Baskët, ose në Irlandën e Veriut.

Zgjedhja e ateismit të shtetit, ose siç ka shkruar dikush “ateokracia” më 1967, nuk ishte një zgjedhje për një lloj ateizmi kombëtar. Në Shqipërinë e Hoxhës egzistonte një fe e shtetit, ajo e kombit. Duke qenë se Shqipëria ka një traditë islamike, nuk i mungoi as Profeti; me këtë kuptojmë kultin e personit të Enver Hoxhës.


[1] Autori e ka fjalën për vitet ’90 të shekullit të shkuar. (Shënim i përkthyesit).

[2] Revue des deux Mondes, juin 1990, f. 42-53, f. 43. Përkthimi: “Ambjenti gjeografik është i mjaftueshëm të shpjegojë historinë e Shqipërisë... midis maleve të thyer... Ky peisazh rrëpirash i ka dhënë formën shpritit të shqiptarëve ... Një natyrë e padrejtë, njerëz ekstremë, të nxirë brenda dhe jashtë, indiferent ndaj vdekjes, të ushqyer nga klima dhe nga dënimi për të mbijetuar. Një kod i nderit që ka të njëjtën formë të relievit. Asnjë keqkuptim. E vërteta është në vdekjen më shumë se në çdo gjë tjetër.”

[3] Po aty, f.44. Përkthimi. « Nga gjaku i venave që rridhte dje koshenca kombëtare e një populli të pathyer dhe krenar dhe që sot zbulon, në karikaturën e tij staliniane, dobësinë e kujtesës së tij »

[4] Cosi in Cristo si è fermato ad Eboli, Torino 1945.

[5] Të shihen për të thelluar këtë argument faqet klasike të historianit F. CHABOD, L’idea di nazione, a cura di A. Saitta dhe E. Sestan, Bari 1961.

[6] Mbi formimin e shtetit të pamvarur dhe proçesit të Rilindjes kombëtare, të shihen S. SKENDI, the Albanian National Awakening (1878-1912), Princeton Un. Press, 967; G. CASTELLAN, l’Albanie, Paris, 1980; dhe Histoire de l’Albanie des origines â nos hours, a cura di S. POLLO e A. PUTO, Lyon, 1974. Një bibliografi mbi këtë çështje Albanie, une bibliographie historique, nga Odile DANIEL, Paris, 1985.

[7] Dy përshkrime kritike të Shqipërisë së viteve ‘80, ku del qartë karakteri “kombëtar” i marksizmit shqiptar: E. e j-p.champseix, 57, boulevard Staline. Croniques albanaises, Paris 1990, e F. TOZZOLI, Il caso Albania, Milano 1990.

[8] Mbi këtë aspekt pak të njohur të historisë shqiptare: N. Betel, La missione tradita. Come Kim Philby sabotò l’invasione dell’Albania,Milano 1986.

Marrë lirisht nga: LINGUA MITO STORIA RELIGIONE CULTURA TRADIZIONALE NELLA LETTERATURA ALBANESE DELLA Rilindja. Il contributo degli Albanesi d’Italia. Atti del XVII Congresso Internazionale di Studi Albanesi. Palermo 25 – 28 novembre 1991

Link pjesa e dytë: Kombi dhe feja në identitetin shqiptar (2)

Përktheu nga italishtja Elton Varfi

Link versioni italisht: Nazione e religione nell'identità albanese

0 Comments