domenica 28 novembre 2010

28 nëntori, dita e pamvarsisë së Shqipërisë

“Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta këtu në mesin tuaj”.

Ndoshta me këto fjalë heroi kombëtar i Shqipërisë, Athleta Christi, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ju drejtua ushtisë së tij të rradhitur për betejë, kur tashmë kishte çliruar principatën e tij Krujën nga Osmanët dhe kishte ngritur fitimtar flamurin e Kastriotëve (që më vonë do të bëhej flamuri kombëtar i Shqipërisë). Këtë fjalë na e sjell Marin Barleti në veprën e tij Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarvm principis. Ndoshta autori për një formë romantiçizmi të tepruar ka vënë në gojë të princit të Krujës fjalë që heroi nuk i ka thënë kurrë, por brenda kësaj fraze gjejmë një të vërtetë të madhe historike: dëshirën për liri të popullit shqipëtar. Një popull i paepur, që nuk duronte tiraninë osmane, dhe që priste vetëm një shkëndij për tu rrebeluar. Kthimi në Krujë i Skëndërbeut më 28 nëntor 1443 është një datë historike për Arbërinë. Kjo datë shënon fillimin e një rezistence heroike të shqiptarëve që do të zgjaste për njëzetepesë vjet me radhë deri në vdekjen e Skëndërbeut, kundër fuqisë më të madhe luftarake të kohës: Perandorisë Osmane.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Por kryeveprën e vërtetë Skëndërbeu do ta kryente në Lezhë më 1444 kur arriti që të bashkoj gjithë princat shqiptar nën një flamur për të luftuar për të njëjtin objektiv, të mbanin vendin të lirë nga turqit. Me vdekjen e Skënderbeut (17 janar 1468), Osmanët arritën të pushtonin përsëri Shqipërinë që do të hynte në periudhën e saj më të errët që do të zgjaste për katër shekuj. Katër shekuj mundimesh për popullin shqiptar. Pjesa më e madhe e tij u kthye me forcë në Myslimanizëm.

“Porta e Lartë” ishte tolerante me nënshtetasit jo myslimanë. Në fakt i lejonte grekëve mësimin e gjuhës së tyre. Çuditërisht trajtimi që kishin nënshtetasit shqiptarë edhe pse këta ishin me fe myslimane ishte i veçantë. Turqia kishte ndaluar hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe gjithashtu përdorjen e kësaj gjuhë si gjuhë zyrtare. Politika agresive ndaj shqipëtarëve e Xhonurqëve që morrën pushtetin në Turqi më 1908, qe pika e fundit e durimit për shqiptarët. Shqiptarët filluan që të kërkojnë të drejtat e tyre. Kërkesa e parë e shqiptarëve qe mësimi i gjuhës së tyre. Situata e brendëshme e Shqipërisë dhe mardhëniet me “Portën e Lartë” filluan të përkeqësohen seriozisht në fillimin e vitit 1910 në Kosovë ku shpërtheu shpejt një kryengritje që u përsërit edhe më në Jug. Më 29 shtator 1911 Italia deklaroi luftë Turqisë. Konflikti italo – turk bëri që situata në Ballkan të keqësohet. Lufta ballkanike kaloi në rajon si një tërmet. Konflikti degjeneroi në egzekutime në masë në dëm të popullsisë civile shqiptare, në Veri nga ana e serbëve dhe malazezëve, por më shumë ne Jug nga ana e grekëve. Urrejtja dhe intoleranza raciale e fetare bënë që në mungesë të strukturave qeveritare dhe në përhapjen në masë të armëve të kishte masakra dhe shaktërrim në pjesën më të madhe të një shteti që akoma nuk egzistonte. Gazetat e kohës dhe tregimet e memorialistëve na flasin për fshatra të djegura, sakatime, familje të shkatërruara, burra dhe fëmi të masakruar në emër të “pastrimit etnik”, kolona me refugjatë dhe skena dëshpërimi kolektiv, dhunë të çdo lloji që na kujtojnë në mënyrë impresionate imazhet që na treguan tmerrin e shkaktuar nga lufta në Bosnjë dhe Kosovë në fundin e viteve ’90 të shekullit të kaluar.

Shqipëria e Veriut. Viktimat e masakrave

Shqipëria e Veriut. Viktimat e masakrave

Kryengritja shqiptare mori hov të ri dhe nisi gjithmonë nga Veriu por shumë shpejt u përhap në të gjithë vendin. Kjo kryengritje përgatiti rrugën e fitores për aleatët ballkanik kundër Turqisë, dhe e bëri të mundëshme këtë fitore, duke pasur një rol që nuk ju dha në atë kohë rëndësia e duhur. Pikërisht në këtë klimë të formimit të ndërgjegjes kombëtare të popullit të lashtë shqipëtar, që plaku i mençur Ismail Qemal Bej Vlora, më 28 nëntor 1912 ngriti në Vlorë flamurin shqiptar të kuq me shqiponjën dykrenare të zezë të Skëndërbeut, dhe Shqipëria u bë e pamvarur nga Perandoria Osmane. U formua një qeveri provizore e drejtuar nga vet Ismail Qemali, u vendos që të zgjidhej një Senat që të kontrolloj dhe ndihmoj qeverinë. Shpallja e pamvarsisë iu notifikua “Portës së Lartë” dhe fuqive europiane. Një delegacion u dërgua jashtë për të mbrojtur të drejtat e shqipëtarëve.

Ismail Qemali me Isa Boletinin, kreu i kryengritjes së kosovarëve kundër turqëve

Ismail Qemali me Isa Boletinin, kreu i kryengritjes së kosovarëve kundër turqëve

Zgjedhja e datës dhe e mitit të Skëndërbeut nuk ishin të rastësishëm. 28 nëntori siç pamë kujtonte një datë historike, datën e çlirimit të Krujës nga turqit, dhe shqiptarët po çliroheshin përfundimisht nga mbeturina e Perandorisë Osmane. Kulti i Skëndërbeut u bë një element bashkimi që përqëndrohej mbi identitetin kombëtar. Shqiptarët lanë mënjanë mosmarrveshjet e ndryshme. Megjithë diferencat ndërmjet Veriut dhe Jugut, ndërmjet Toskëve dhe Gegëve, shqiptarët patën një reagim të fortë patriotik. 28 nëntori i vitit 1912 hyri në historinë e Shqipërisë si “dita e flamurit”. Shqipëria më në fund kishte fituar pamvarsinë. Por sipas pakteve ndërkombëtar Shqipëria e pamvarur do të bëhej vërtetë më 1913. Më 29 korrik 1913 në Londër, konferenca e ambasadorëve të gjashtë fuqive të mbëdha vendosi që Shqipëria ishte formuar në principatë autonome, sovrane dhe trazhgimtare nën garancinë e gjashtë fuqive që [do të zgjidhnin] Princin dhe bëri skemën e shtetit të ri. Por në këtë konferencë u morrën edhe vendime të turpëshme. Në Veri Kosova i kaloi serbëve. Në Jug Greqia mori Çamerinë.

Harta e Shqipëris etnike

Harta e Shqipëris etnike

Siç mund të kuptohet pamvarësia i kushtoi shtrenjtë shqipëtarëve. Më shumë se gjysma e territoreve që populloheshin nga etni shqipëtare mbetën jastë kufijve të Shqipërisë të sapoformuar (Peja, Ohëri, Struga, Gjakova, Ulqini etj). Nuk duhet harruar represioni dhe gjenocidi i pësuar nga popullësitë shqiptare që mbetën jashtë kufinjëve nga ana e serbëve dhe grekëve. Gjaku i atyre të pafajëshme kërkon akoma drejtësi.

Politika shovinishte e vëndeve kufitar me Shqipërinë si Serbia dhe Greqia, dëshmojnë edhe sot në vitin 2010 që ata kurrë nuk kanë hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj vendit tonë. Shqiptarët nuk duhet të bëjnë gabimin që të ndihen të sigurtë, por duhet të jenë gjithmonë vigjilent. Konferenca e Londrës e 1913 duhet që të jetë një paralajmërim për të ardhmen. “Dita e flamurit” akoma edhe sot arrin që bashkojë të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, sepse është e vetmja festë kombëtare që festohet në të gjithë territoret ku ndodhen shqipëtarë, nga të gjitha etnitë dhe fetë (katolike, ortodokse dhe musulmane), dhe nga të gjithë ata që ndihen pjesë e popullit të lavdishëm dhe të lashtë shqipëtar.

Elton Varfi

domenica 21 novembre 2010

Tomori dhe Dodona pellazgjike

Nga Yllka Lezo

Vendndodhja e tempullit të lashtë të Dodonës është një argument që shpesh i ka çuar studiuesit në debate. Në vitet tridhjetë, Perikli Ikonomi, me librin "Tomori dhe Dodona pellazgjike", përpiqej të tregonte se vendndodhja e tij është në Shqipëri. Legjenda thotë se shumë kohë më parë, nga Egjipti u nisën dy zogj. Njëri prej tyre ndaloi në Libi, ku u ndërtua tempulli i Ammon Zeusit dhe tjetri ndali në Dodonë. Aty u ndërtua tempulli tjetër, ku ndodhej orakulli më i famshëm i antikitetit, ai i Dodonës, pasardhës i të cilit do të ishte orakulli i Delfit.

 

Mali i Tomorit 

Mali i Tomorit

E nëse tempulli i Ammon Zeusit dihet që është në Libi, çështja e vendndodhjes së tempullit të Dodonës është më e komplikuar. Një pjesë e mirë e studiuesve mbrojnë tezën se tempulli i lashtë i Dodonës ndodhet në tokat e sotme greke, në këmbët e malit të Tammaros, rreth 18 km larg Janinës. Ka edhe një tjetër grup më të vogël, pjesë e të cilit është studiuesi Perikli Ikonomi (1882-1977), që nuk mendon kështu. Në vitin 1934, ky studiues nis të shkruajë "Tomori dhe Dodona pellazgjike", një studim nëpërmjet të cilit përpiqet të vërtetojë se tempulli i Dodonës është në malin e Tomorit. Për herë të parë ai e botoi me shpenzimet e veta këtë libër më 1936-ën, në një numër të vogël kopjesh. Një prej tyre e kishin familjarët dhe tjetrën Muzeu Historik Kombëtar. Pas gati 8 vitesh, studimi u ribotua. Për të vërtetuar tezën e tij për vendndodhjen e tempullit të Dodonës u mbështet në disa burime: etimologjinë e fjalës Tomor, vendndodhjen e përshkruar nga autorë të antikitetit dhe ndërtimit gjeografik të ngjashëm të këtyre dy vendeve, si dhe gojëdhënave të banorëve përreth malit të Tomorit. Që në faqen e parë të librit tregon arsyen se përse po merr përsipër një punë të tillë, kur thotë se po e shtron këtë çështje për të treguar vendndodhjen e vërtetë të tempullit origjinal të Dodonës. Ikonomi shkruan se ka një grup studiuesish shqiptarë, të cilët i mëshojnë idesë se Dodona e Epirit Jugor (mali Tammaros, në Janinë) është vetëm një kopje e vonshme e origjinalit, i cili duhet të ndodhet në malin Tomor në Toskëri. Për të është i rëndësishëm fakti që të dy malet kanë emra të ngjashëm (Tammaros dhe Tomor). Në këtë pikë ai nxjerr prejardhjen e fjalës Tomor. Ai shkruan se mali i Tomorit, konsiderohet si banesa e Perëndisë së pellazgëve, domethënë e shqiptarëve të vjetër. Veç kësaj, Tomorin e quajnë mal i të-mirit, prandaj priftërinjtë e orakullit të Dodonës quheshin Tomurë, të mirë. "Në të folurën popullore të shqiptareve, çdo vend i shenjtë quhej dhe vazhdon të quhet më së shumti edhe sot vend i mirë. Pra, në këtë togfjalësh, mbiemri "i mirë" përdoret në kuptimin "i shenjtë", rrjedhimisht, mali i Tomorit do të thotë mali i Zotit", shpjegon ai. Me tej argumenton se priftërinjtë ose fatthënësit (parashikuesit e ngjarjeve) e Dodonës quheshin Tomuri dhe parashikimet (fatthënat) e tyre quheshin Tomure. "Tomar ose Tmar quhej mali pranë ose mbi të cilin ndodhej tempulli i Dodonës, i njohur ndryshe si faltorja e famshme pellazgëve, shkruan Ikonomi. Por kjo analizë nuk i mjafton për të vërtetuar tezën e tij, kështu që merr në shqyrtim edhe gjithë dëshmitë e mundshme historike. Një kapitull më vete u kushtohet përshkrimeve të autorëve të antikitetit si Herodoti, Hesiodit Pliniusi, Pindari, Plutarku, Straboni etj., shënime të cilat e largojnë Dodonën nga Janina dhe e sjellin në veri të Toskërisë. Një nga shënimet që Ikonomi citon është ai i Stragjiritit: "Në faqen 28 të shënimeve ku bën fjalë për Dodonën, ai e përmend si të pacaktuar vendndodhjen e malit Tomor. Ai pohon se të tjerë e vendosin këtë mal më lart e më tej nga veriu i malit të Pindit. Gjithashtu, thotë se molosët kanë qenë më të përmendurit e më të famshëm nga haonët, se ata kishin dhe tempullin famëmadh të Dodonës në krahinën e tyre". Duke përmendur shënimet e këtyre autorëve dhe gjeografëve, të cilat japin detaje të ndryshme për tempullin e Dodonës, Ikonomi arrin të ndërtojë një panoramë të vendndodhjes së këtij tempulli. Por punën nuk e lë me kaq. Pasi përfundon me përshkimet e këtyre autorëve, në kapitullin e fundit ai jep kallëzime e gojëdhëna për malin e Tomorit dhe rrethinat e tij.

 

Perikli Ikonomi 

Perikli Ikonomi, 1882 - 1977

Kështu, njëra prej tyre thotë se në Tomor rrinin tri motrat e Dhodhonit, tek të cilat vinin mbretërit e vjetër për t'i pyetur për fatin e tyre dhe të mbretërisë. Ndërsa sipas një tjetër gojëdhëne, në kulmin e malit të Tomorit ndodhet e skalitur mbi një shkëmb një plakë që ruan një dhi dhe një kec. Gojëdhënë që sipas Ikonomit mund të ketë lidhje me dhinë Amalthia, që sipas mitologjisë, ushqeu Zeusin kur e ëma e tij, Rea, e fshehu për ta ruajtur nga i ati, Shtuni (Saturni), që hante fëmijët e tij. Mes Ikonomit dhe malit të Tomorit ekzistonte një lidhje më e veçantë se ajo mes një studiuesi dhe një subjekti.

Dy fjalë mbi Perikli Ikonomin

I lindur në fshatin Vokopolë të Beratit, ai e njihte ndoshta më mirë se çdo studiues tjetër këtë vend dhe legjendat që e rrethonin, shumë prej të cilave lidhen me shenjtërinë e këtij mali. Dhe jo rastësisht e ka përshirë shenjtërinë në libër. Perikli Ikonomi vinte nga një familje që për 17 breza me radhë kishte nxjerr priftërinj. I fundit prej tyre ishte babai i Perikliut, Papa Pavli. Por ai nuk do të ndiqte këtë rrugë. Mësimet e para do t'i merrte në Berat, nga rilindësi Babë Dudë Karbunara (1842-1917). Më pas vazhdoi shkollën e Korfuzit, ku u njoh me Ismail Qemalin, i cili i zgjon ndjenjën e atdhetarisë dhe të çështjes kombëtare. Më pas studion dhe formohet si specialist i psikologjisë në njërën prej shkollave më të rëndësishme të kohës në Ballkan, në gjimnazin "Zosimea" të Janinës. Pas kthimit në Shqipëri, më 1916-ën, jep mësim fillimisht në shkollat e Beratit dhe më pas në një sërë shkollash në të gjithë Shqipërinë. Krahas mësimdhënies shkruan dhe boton me shpenzimet e tij librat didaktikë: "Atdheshkronja praktike", 1926; "Atdheshkronja e plotë për të tretën dhe të katërtën klasë të shkollave fillore dhe plotore të Shqipërisë", 1932; "Mineralogjia dhe mësime kimike", 1933. Ai bëhet kështu një nga themeluesit e parë të arsimit shqiptar, kontribut për të cilin, më 1956-ën u vlerësua me titullin "Mësues i Merituar". Vdes në maj të 1977-ës

Burimi: gazeta Shekulli

domenica 14 novembre 2010

Shpjegim emrash me anë të gjuhës pellazgo-shqipe

 

Demetër = Dhè motër

Bija e Kronos dhe e Reas, ka qënë një hyjni e rëndësishme e “tokës së lëruar dhe pjellore”, çfarë ajo mishëronte si dhe më në veçanti kokrra gruri. Kujtojmë kalimthi se Pellazgët janë të parët që sollën kulturën e drithrave në Europë. Gjithashtu perëndesha e frutave dhe e të gjitha pasurive të tokës, ajo ishte simbol i qytetërimit antik: begatia e të korrave dhe e zhvillimit ekonomiko shoqëror. Kulti i saj u ruajt në disa rajone të Greqisë antike, në veçanti në Arkadi, ku Pellazgët ruajtën për një kohë më të gjatë tradidat e tyre. Një legjendë tregon se Demetra kishte mbërritur në Greqi nëpërmjet Kretës. Grekët e quanin Nëna e tërshërës. Gjithsesi të lashtët, të gjithë njëhërësh e cilësonin perëndesha Tokë ose Toka – Mëmë. Dhe pjegimi shqip i mësipërm është më se i qartë: Dhe – Motër që do të thotë Toka Motër. Është me vend të shënohet përputhja e kuptimeve midis Demetër (perëndeshë e kultures dhe e mbjelljes) dhe bija e saj Kore (perëndesha e të korrave): ajo që mbjell nëna dhe ajo që korr bija!

Hadi = Ha deks, Ha vdeks

Biri i Koronos dhe Reas, Hadit i ranë pjesë zotërimi sovran mbi botën e nëndheshme. Ai është zot i botës së përtejme dhe i mbretërisë së të vdekurve. Ai paraqitet në fund të botës së përtejme mbi një fron duke mbajtur një skeptër në dorë, me të cilin ai sundon pa mëshirë shpirtrat e të vdekurve. Grekët e kanë përkthyer emrin e tij i padukshmi, ndërkohë që në gjuhën shqipe Ha deks (gegë) ose Ha vdeks nënkupton ai që ha të vdekurit.

Hesiona = E zanë

Egzistojnë dy versione në lidhje me këtë. Në versionin e parë ajo është një Oqeanidë, bashkëshorte e Prometeut. Në versionin tjetër ajo është bija e Laomedonit. E lidhur me zinxhir pas një shkëmbi në brigjet e Trojës, krejt e zhveshur dhe e zbukuruar ma bizhuteritë e saj dhe për jetën e saj i detyrohet Heraklesit që e zgjidhi nga zinxhirët. Emri i saj shpjegohet në mënyrë të përkryer në gjuhën shqipe: E zanë (gegë) ose E zënë (toskë), pra në të dy dialektet e kapur.

Odise = Odhysseus = Udhës, Udhësi

Uliksi, pasi kishte luftuar për dhjetë vjet, u nis ndër aventura për dhjetë vjet të tjerë. Penelopa, gruaja e tij, e priti gjatë njëzet viteve të luftimeve dhe të dhe shtegëtimeve të ndryshme. Uliksi është më i njohur për aventurat dhe udhëtimet e tij. Madje është vetë emri i tij që na e zbulon këtë: Udhës, Udhësi, Udhëtar që rrjedhin nga fjala shqipe Udhë. Uliksi është emri i latinëve. Edhe ky emër shpjegohet nga fjala shqip Ulic d.m.th. rrugë e vogël.

Penelopa = Penë* e lyp

Bija e nimfës Periboea dhe e Ikarios, vëllai i Tindarit. Ajo është gruaja e të famshmit Uliks. Gjatë mungesës së bashkëshortit të saj edhe për të shmangur prtenduesit e mundshëm për martesë, ajo vuri në zbatim një strategji: ajo shpalli se së pari duhej të përfundonte endjen e qefinit të vjerrit të saj, Laertit. Por natën ajo e zhbënte atë që kishte bërë ditën. Emri i saj shpjegohet mjaft qartë në gjuhën shqipe: Penë e lyp, që do të thotë Ajo që ka nevojë për fill. Grekët e shpjegojnë me ajo, fytyra e së cilës është mbuluar me një vello. Penelope është epiteti që jepet sepse në të vërtetë ajo quhet Arnea ose Arnakia (ajo që arnon?)

Hipos

Kjo fjalë në greqisht do të thotë kalë. Mirëpo sigurisht kjo fjalë rrjedh nga fjala pellazgo-shqipe hip. Në të vërtetë për të emërtuar kalin gjuha shqipe ka ruajtur formën më arkaike të belbëzimeve të para të njeriut parahistorik: kal. Njohja e kalit nga ana e Grekëve është arritur nëpërmjet pellazgëve (Thrakët, Frigjanët), tashmë kali ishte një kafshë e zbutur shtëpiake, d.m.th. i hipshëm. Pra, Grekët gjatë mbërritjes së tyre ne gadishull do ta kenë emërtuar Hip-os : ai që hipet. Kjo “folje” përfundoi duke u dhënë Grekëve “emrin” e kalit, ndërkohë që Shqiptarët kanë ruajtur formën e tij arkaike: kal.

Homeri = Omerë, O mirë

Kjo thirje admiruese, tipike pellazgo- shqiptare do të thotë sa bukur, sa këndëshëm! Ky interpretim përmbush tezën e atyre që mendojnë se Homeri kurrë nuk ka egzistuar, se Iliada dhe Odisea, janë vetëm poema parahelene të kënduara nga brezi në brez nga rapsodë anonimë. Në të vërtetë ne mund të mendojmë se këta poetë epikë, rapsodë ose këngëtarë popullorë në epokën pellazge ( meqënëse të lashtët na thonë se Pellazgët “zotëronin vendin që do të bëhej Greqi, përpara mbërritjes së helenëve”, nuk mund të anashkalojmë këtë pohim të njëzëshëm), kanë përcjellë gojarisht epopetë e lashta që u morën nga helenët kur ata mbërritën në vendin e Pellazgëve, dhe këto epope i përshtatën, i përpunuan dhe më në fund i transkriptuan në gjuhën e tyre duke ruajtur termat dhe emrat që nuk i kuptonin, të tilla si ato të perëndive dhe toponimeve pellazge. Pra ata do t’i kenë dëgjuar këta poetë epikë të recitojnë epopetë e tyre dhe njërëzinë që të thërrasë: O mere dialekti gegë i Shqipërisë së Veriut, sepse në Jug thuhet O mirë.

*Penë = peri, filli.

Marrë nga libri Shqipëria, odisea e pabesueshme e një populli parahelen i autorit Mathew Aref

domenica 7 novembre 2010

Rëndësia e popullit Pellazgo-Ilir

 

Populli pellazgo-ilir ka qënë populli më i rëndësishëm i antikitetit dhe nga ai rrjedhin qytetërimet, kombet, gjuha dhe kultura e lashtë europiane si edhe ajo moderne. autoria e librit, elena kocaqi Këto dëshmohen nga të dhënat historike, arkeologjike, gjuhësore dhe antropologjike.

1- Qytetërimet e vjetra europiane si ai i Kretës, Mikenës, Trojës dhe Etruskë kanë qënë vepër e popullit pellazgo-ilirë edhe nga të dhënat historike që tregojnë se kjo etni ka ngritur këto qytetërime. Edhe të dhënat antropologjike dëshmojnë se popullësia e vjetër e këtyre qytetërimeve ka qënë Brachycephala ashtu siç janë Shqiptarët sot pasaadhësit e popullësisë pellazgo-iliro-trako-trojano-skithe e më gjërë. Pra qytetërimi i hekurit dhe i bronxit i Evropës është një qytetërim pellazgo-ilir. Nëse do t’u referohemi të dhënave të tjera nga kjo etni duket se janë themeluar edhe shtetet e vjetra si ai Egjiptian dhe shtetet e Mesopotamisë duke filluar me qytetërimin Sumer. Kjo dëshmohet nga të dhënat historike që dëshmojnë një presencë të kësaj rrace në këto territore që në kohë të herëshme. Kështu të dhënat antropologjike dëshmojnë se në deltën e Nilit dhe tek Sumerët tre mij vjet para Krishtit, ka banuar një popullësi e bardhë. Të dhënat e mëpasme historike tregojnë se kjo popullësi ka qënë me origjinë pellazgo-ilire. Madje edhe dyndjet e popujve të detit janë dyndjet e kësaj popullësie drejt këtyre territoreve në shekullin e XIII para Krishtit, pasi aty dalin dardanët, lidët etj, që ishin fise pellazgo-ilire.

2- Grekët antikë nuk janë një etni, ata thjesht janë fiset pellazgo-ilire që kishin një nivel kulturor më të lartë se fiset e tjera të këtij trungu, dhe kjo falë pozitës gjeografike dhe kushteve natyrore. Ai që quhet qytetërim antik grek është qytetërim pellazg, pasi të tre popujt që kanë banuar në Heladën antike ishin me origjinë pellazge. Kështu jonët ishin me origjinë pellazg, dorët ishin ilir dhe eolët pellazg. Atëherë ku janë grekët?

Nuk ka egzistuar kurrë një komb grek. Gjuha e vjetër greke është një gjuhë e stisur për tu përdorur nga të diturit e kohës. Si mund të dalim në këtë konkluzion? Është e lehtë, ajo gjuhë e vjetër greke nuk përkthen asnjë fjalë të jonishtes, dorishtes dhe eolishtes. Shkrimet e tyre edhe sot janë në gur dhe nuk flasin, askush nuk e di se çfarë gjuhe kanë përdorur, por një gjë është e sigurtë se ajo është një gjuhë e ndryshme nga gjuha greke e vjetër dhe e re. Përse greqishtja nuk përkthen këtò gjuhë? Ajo nuk ka se si ti përkthej kur popullësia ishte e gjithë pellazgo ilire dhe fliste këtë gjuhë që sot gjendet tek shqiptarët. Mirë do bëjnë studiuesit që të marrin shqipen e sotme dhe sidomos gegërishten dhe ti futen punës që të përkthejnë shkrimet antike. Fakti që në kohët moderne në Greqi nuk kishte popull grek por shqiptar tregon se asnjëherë nuk ka patur grek. Kombi modern grek është një komb artificial i përbërë nga disa etni ku pjesën më të madhe e zënë shqiptarët, kanë një gjuhë artificiale që nuk është gjuha e tyre por gjuha që kisha dhe shteti vendosën që të kishte. Kjo gjuhë u pastrua, u rregullua dhe iu imponua popullit duke ja vendosur si gjuhë të detyrueshme, dhe kështu u krijua një etni artificiale ashtu siç është edhe sot.

Edhe qytetërimi antik romak ishte pellazgo-ilir pasi Italinë në antikitet e kanë banuar këto fise nga jugu në veri. Vetë Romakët e mbanin veten si pasardhës të dardanëve të Trojës, por këta dardanë janë ata të Ilirisë që ende sot jetojnë në territorin e tyre dhe quhen shqiptar. Qytetërimi Romak rrodhi nga ai Etrusk apo tusk që ishte gjithashtu një qytetërim pellazg. Disa studiues kanë arritur që me anën e shqipes së sotme të përkthejnë shumë shkrime etruske.

3- Europa e kohës së bronxit ka patur një popullësi të njëjtë nga ana teknike që ka folur të njëjtën gjuhë apo dialektet e saj. Të dhënat tregojnë se pellazgët, ilirët, trakët, dakët, skithët, sarmantët, trojanët deri në Atlantik kanë qënë popuj të një etnie. Sipas të dhënave ata kanë folur një gjuhë të përbashkët e cila ka qënë shqipja arkaike. Ka qënë kjo gjuhë sepse ajo gjendet në të gjitha gjuhët antike dhe moderne europiane dhe iu jep kuptimin fjalëve të këtyre gjuhëve. Shumë fjalë të gjuhës së vjetër latine dhe fjalë që kanë përdorur pellazgët e quajtur si helen janë shqip, madje shqipja i përdor edhe sot. Këto fjalë nuk janë të huazuara pasi në shqip ato kanë kuptimin e asaj që duan të shprehin. Megjithëse gjuha latine dhe ajo greke e vjetër duket se janë të krijuara, ato sërisht kanë shumë fjalë shqipe brenda tyre. Populli që është quajtur me emrin romak apo helen, ka qënë një popullësi ilire që ka folur këtë gjuhë, pasi të dy gjuhët si latinishtja dhe greqishtja nuk përkthejnë gjuhën që ka shkruar dhe folur populli i tyre. Shumë nga fjalët që kanë mbërritur nga kjo gjuhë që kanë folur pellazgët helenë dhe romak janë sot tek shqipja dhe marrin kuptim nga ajo. Nga ana tjetër shqipja përkthen edhe gjuhën e dakëve dhe është e vetmja gjuhë që iu jep kuptim fjalëve të tyre pasi ajo i ka edhe sot këto fjalë në fondin e saj të gjuhës së përditëshme.

Straboni dëshmon se dakët kanë pasur të njëjtën gjuhë me trakët, skithët. Kjo do të thotë se këto fise kanë folur një gjuhë shqipe, për aq kohë sa shqipja është e vetmja që përkthen gjuhën dake. Trojanët kanë folur një gjuhë shqipe pasi shumë nga fiset trojan janë me origjinë nga Traka dhe Iliria ashtu si dardanët përbëjnë sot një pjesë të konsiderueshme të popullit shqiptar.

4- Në shekujt V-VI kur fuqia e Romës ra, të shtyrë nga dyndjet e popullësive me origjinë Aziatike, një pjesë e popullësisë etnike europiane u detyrua të emigrojë në territoret e Ilirisë dhe Detit të Zi në drejtim të perëndimit që njihen edhe si dyndje gjermanike. Të dhënat mesjetare tregojnë se këto fise ishin me origjinë Ilire. Ato ndikuan shumë në krijimin e kombeve moderne gjermane, angleze, franceze etj. Faktet antropologjike, historike dhe ato arkeologjike dëshmojnë një gjë të tillë.

Kopertina e librit

Kopertina e librit

5- Teoria e gjuhëve indo-europiane është një teori që duhet rishikuar pasi ajo është ngritur pa studiuar gjuhën shqipe e cila është gjuha që kanë folur edhe popujt e vjetër Europian dhe shumë e quajnë gjuhën e rracës së bardhë asaj Japetike. Nuk mund të nxiren teorira të tilla pa studiuar gjuhën sustrakt të Europës, atë shqipe me gjithë dialektet e saj të pasura. E them këtë pasi vërej se fondi i fjalëve të përbashkëta midis gjuhëve europiane dhe sanskritishtes gjendet i gjithë tek shqipja. Madje shqipja këto fjalë i ka edhe sot në gjuhën e saj të përditëshme dhe këto fjalë marrin shpjegimin vetëm nga kjo gjuhë. Gjuhëtar i mirë është ai që është së pari një historian i mirë, pasi nuk mund të përcaktosh një gjuhë në disa kategori pa parë se si kanë qënë kushtet historikë që kanë çuar në këtë përfundim.

Fjalët që sot gjenden tek gjuha indiane dhe iraniane nuk janë fjalë që gjenden nga gjuhët europiane me këto gjuhë, por gjenden midis shqipes dhe këtyre gjuhëve. Ky është çelësi që tregon gabimin e bërë deri më sot nga gjuhëtarët të cilët kanë nxjerrë konkluzione pa studiuar shqipen dhe historinë. Historia dëshmon se në periudhën e bronxit këto territore janë pushtuar dhe sunduar nga një rracë e bardhë. Kështu sumerët janë një popullësi jo-semite.

Shqiptarët sot janë një komb prehistorik që jeton në trojet e tij në Ballkan prej mijëra vjetësh. Paraardhësit e shqiptarëve i kanë dhënë Europës qytetërimin etnik Europian si atë prehistorik dhe atë antik që u bë baza e qytetërimit modern. Ata kanë luajtur një rol të madh në formimin e kombeve moderne të Europës dhe gjuhëve të tyre.

Marrë nga libri Roli pellazgo – ilir në krijimin e kombeve dhe gjuhëve evropiane i autores Elena Kocaqi