Disa kohë më parë më ra në dorë një kopje e një reviste për promovimin e turismit në Siçili. Kjo revistë quhet “ciao Sicilia what’s on…” Kjo kopje është e muajit prill të vitit 1987. Duke shfletuar këtë revistë ndesha në një poezi në gjuhën arbëresh. Poezia titullohet “Stosanesi” që është një shtembërim i fjalës greke “Christòs Anèsti”, dhe do të thotë Krishti u ngjall. Është një poezi e shkruar nga Strollaku që është pseudonimi i Antonino Cuccia me origjinë nga Contessa Entellina. Kjo poezi është shkruar plot 92 vjet më parë, dhe është shkruar për të kujtuar vizitën e Kishës greko ortodokse, Kishës Latine me rastin e Pashëkve. Strollaku është një shtrëmbërim i fjalës “astrologu”. Këtu poshtë po ju jap këtë poezi si në gjuhën arbëresh si në gjuhën e sotme shqipe, duke para thënë që përkthimi në gjuhën shqipe është aprosimativ. Do të ishte me interes të madh që ndonjë studiues i gjuhës arbëreshe te lexonte këtë poezi për të kuptuar nëse gjuha arbëreshe ka evoluar në këta gati 100 vjetët e fundit apo jo. Përfitoj nga rasti për t’ju uruar gëzuar Pashkët.


Arbëresh

Me paqe e me harè te kjò bukurëditë
Çë ka klënëçelur sa ke çë isht jetë,
qi i madh gëzim vjen një herë në vit:
kush rron e sheh pametë;
kush vdes mbëllin sytë,
kundet vete jep te jetëra Jetë,
se In Zot, vdekur rrijti tre ditë,
me kaqë harè na u ngjall si sot.
Luftarët e rruajn me gjak te sytë
Kur tundej dheu e luajnë ajo botë,
se si vdiqi In Zot ngë
u pa më dritë (dritë)
luftarët u llavtin me atë tirrimot,
rran te dheu e zbëllijtin sytë:
njohtin se aì çë vran ish e vërteta In Zot,
Shën Mëria Virgjërë rrij vënë më lip,
klajti të birin tre ditë me sot,
u kallaritin engjulitë
e erdhi ajo dritë
an’e t’i than Shën Mërisë
se u ngjall In Zot.
Shën Mëria Virgjërë rriodhi, fshijti
vat’e barcarti t’In Zot
e pa se te gjiri kish një firitë:
atë helm i madhë ndiejt
Shën Mëria kur vdiq’In Zot.
Mbi dyzet ditat te Parraisi u hip,
me flamën te dora u ngjall In Zot.
Priftèria na i mbëson këtë i madh shërbes
Se për tre ditë hipet me atë “Stosanes”
E Litirit vete t’ja thot
kini harè se u ngjall In Zot.
Këtë rrimë e bëri Strollaku
e u jam’e ju i thom sot:
me kaqë harè u ngjall In Zot.
Antonino Cuccia detto
STROLLAKU.


Shqip

Me paqe dhe gëzim te kjo ditë e bukur
Që është festuar që kur bota është krijuar
Ky gëzim i madh vjen një herë në vit
Kush rron e sheh gjithmonë
Kush vdes sytë i mbyll
Dhe në botën e përtejme hesapet i lan
Se Zoti Ynë, i vdekur ndënji tre ditë
Ma kaq hare u ngjall ai sot
Ushtarët me sy të përgjakur e ruajnë
Ndërsa dheu dridhej e toka tundej
Sepse kur Zoti Ynë vdiq
Më dritë nuk kishte
Ushtarët u tmerruan nga tërmeti
Ranë në gjunjë dhe ju hapën sytë
Kuptuan që ai që vranë ishte me të vërtetë Zoti
Shën Mëria e Virgjër po lutej
Qau të birin tre ditë deri me sot
Erdhën ëngjëjt
Dhe erdhi drita
Dhe i thanë Shën Mërisë
Se u ngjall Zoti
Shën Mëria e Virgjër vrapoi dhe sytë i fshihu
Dhe përqafoi Zotin
Dhe pa se në gji kish ai një plagë
Shumë dhimbje provoi Shën Mëria e Virgjër
Kur Zoti Ynë vdiq
Mbas dyzet ditësh në parajsë u ngjit
Me flamur në dorë Zoti u ngjall
Kisha na e mëson këtë gjë të mbrekullueshme
Dhe për tre ditë ngjitet me “Stosanesi”
Dhe kishës Latine vetë ja thot
Gëzohuni se u ngjall Zoti Ynë
Këtë rimë e bëri Strollaku
Dhe ju thot sot
Ma kaq gëzim u ngjall Zoti Ynë.

Elton Varfi
Link versioni italisht:
CHRISTÒS ANÈSTI

0 Comments